Lajme

“Kosovision” nxit fëmijët të projektojnë të ardhmen e Kosovës

Detyrë e nxënësve ishte që idetë e tyre për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës t’i paraqesin në një poster

Raundi i tretë i projektit Kosovision Contest me moton “Fëmijët e bëjnë të ardhmen e Kosovës”, që kishte filluar më 20 shtator 2010, kishte angazhuar rreth 35 mijë nxënës nga 1225 klasa të pesta të shkollave fillore të Kosovës. Detyrë e këtyre nxënësve ishte që idetë dhe synimet e tyre për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës t’i paraqesin në një poster.

Të gjitha këto punime u ekspozuan në Sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ndërsa fituese të kësaj gare u shpallën 83 klasa. Përfaqësuesit e tyre, bashkë me kujdestarët e klasave morën pjesë në ceremonialin e organizuar nga drejtuesit e projektit Kosovision Contest, Katerina Vashington dhe Tom Kleiber. Organizatori, për nxënësit e tri klasave fituese (me short) ndau nga një shpërblim të qëndrimit treditor në Qendrën e skijimit në Brezovicë. Këtë fat e patën nxënësit-fitues të kl.V  të shkollës fillore “Xhavit Ahmeti” nga Hodonoci i Kamenicës, dhe ata të dy shkollave nga Prishtina; të kl. V/3 të shk. fillore “Hilmi Rakovica”dhe të kl. V/1 të shk. fillore “Mileniumi i Tretë”.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Lukas Beglinger

Të pranishmit i përshëndeti ambasadori i Zvicrës në Republikën e Kosovës z. Lukas Beglinger, duke përkujtuar që ky është ceremoniali i tretë i garës Kosovision Contest. Me këtë rast ai i përgëzoi dhe i uroi fëmijët për punën e madhe që e kanë bërë, duke shprehur vizionin dhe dëshirat e tyre për të ardhmen e Kosovës në posterët apo pllakatat e vendosura në tërë Pallatin e Rinisë.

Beglinger edhe një herë përkujtoi rolin e rëndësishëm të arsimit në zhvillimin e vendit. “Kosova është në fazën e ndërtimit të institucioneve të saj, të ekonomisë si dhe të shoqërisë dhe natyristht arsimi është shtylla kryesore në këtë aspekt të ndërtimit të vendit” tha mes tjerash ambasadori Beglinger duke i inkurajuar mësimdhënësit dhe nxënësit që ta çojnë vendin përpara.

Në vazhdim, koloneli Lyber në emër të Kforit falënderoi të gjithë ata që e kanë mundësuar këtë ngjarje. “Kur i shohim të rinjtë dhe të tjerët tek përshëndesin Kforin, unë besoj që Kfori tashmë i ka plotësuar shumicën e detyrave, por do të vazhdojë të përmbushë edhe detyra të tjera. Dhe, pastaj kur i shoh të gjitha ato vizatime në të cilat janë idetë tuaja për të ardhmen në lidhje me arsimin, ekonominë,  infrastrukturën si dhe bashkëjetesën unë kam besim të madh  në ju”, u shpreh koloneli Lyber.

Katarina Vashington, udhëheqëse e projektit „Kosovision Contest“

Vizionet e fëmijëve të barten në botën e të rriturve

Ndërkaq udhëheqësja e projektit, Katerina Vashington, të pranishmëve iu drejtua në gjuhën shqipe duke shprehur gëzimin për festimin për së treti herë të ceremonisë “Avard” të Kosovision Contest. “Edhe kësaj here jam e mahnitur nga kualiteti i pllakateve dhe i vizioneve tuaja të shumta. Ju, të dashur fëmijë, dëshironi vende për të luajtur e për të mësuar, kopshte shkollore, fusha sportive, biblioteka, salla muzike dhe klasa e shkolla të bukura. Ju dëshironi edhe një botë paqësore, pa dhunë e korrupsion. Një botë, në të cilën mund të jetojnë të gjithë të bashkuar, pa ndasi e abuzime”, ka thënë veç tjerash znj. Vashington. Ajo ka shprehur kënaqësinë edhe për faktin se kësaj here në projekt ishin edhe fëmijët e minoriteteve. Po ashtu znj. Washington ka theksuar se janë përfshirë edhe fëmijët me nevoja të veçanta.

“Risia që sivjet kemi projekte edhe me fëmijët me nevoja të veçanta më gëzon edhe më shumë, sepse këta fëmijë janë pjesëtarët më të pambrojtur të një shoqërie. Unë ju falënderoj për angazhìmin dhe uroj që vizionet dhe entuziazmin tuaj t’i bartni me vete në botën e të rriturve. Në Kosovë ka për të bërë edhe shumë. Ju luani një rol të rëndësishëm për të ardhmen e saj“, ka thënë në fund Katerina Vashington.

Kujdestari i klasës Muharrem Morina me nxënësit e tij fitues nga Hodonoci

Fëmijët e Kosovës i bashkon e sotmja dhe e ardhmja e tyre

Këtë vit, në këtë projekt, morën pjesë 1225 nxënës të klasave të pesta të shkollave të Kosovës prej të cilave u shpërblyen gjithsej 83 klasa. Vlerësimi, si edhe më parë, është bërë në bazë të kritereve si: arritja e qëllimit, puna e bërë nga vetë nxënësit, dokumentimi i projektit dhe koha e realizimit të projektit. „Këta fëmijë nuk i ndanë mosha, etnia e as e kaluara. Këta fëmijë i bashkon e sotmja dhe e ardhmja e tyre“, ishte konstatimi i Ardita Himës, koordinatore e projektit Kosovision Contest.

„Ne të gjithë kemi një rrugë të përbashkët, duke përcjellë dhe duke edukuar breza. Kjo rrugë tash nuk ka të ndalur. Tash e tri vjet idetë dhe dëshirat e tyre po bëhen edhe më interesante edhe më autentike. Sa shumë emocione, sa shumë dëshira, mbi të gjitha sa shumë tolerancë ka në projeksionet e tyre. Këta fëmijë, të cilët janë pjesë e projektit tonë, me vizionet e tyre për Kosovën, po bëhen zëdhënësit më të mirë të vetes dhe të të ardhmes së tyre më të sigurt në një shtet ideal“, theksoi Ardita Hima.

Ajo, më tutje tha: „Janë mëse 30 mijë filiza nga shumë shkolla, të cilët për pak kohë kanë lënë brengat për të lënë gjurmë të përhershme përderisa projektonin projektin e tyre. Këta arkitektë të mëdhenj të së ardhmes, tash e tri vjet radhazi, bënë që ky projekt të krijojë identitetin e vet pa harruar këtu edhe mësimdhënësit e tyre, të cilët ishin të gatshëm t’i mbështesin kudo e kurdo këta fëmijë në një mision kaq të vështirë“.

Duke pasur parasysh gjithë këtë përkushtim ka qenë mjaft e vështirë për jurinë që të zgjidhte punimet më të mira. Moderatorët: Vesa Luma dhe Fatmir Spahiu prezantuan fituesit para publikut, duke i radhitur sipas rajoneve, për të filluar nga Prishtina, Mitrovica, Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Peja dhe Prizreni. Të pranishmit u argëtuan nga një grup studentësh të Fakultetit të Edukimit në Cyrih i përbërë prej: Stevan Leuung, Cornel Fässler dhe Thomas Flückiger. Këta performuan disa tone ritmike përmes duartrokitjeve me shuplaka, etj. duke i tërhequr në lojën e tyre edhe mysafirët në sallë.