Lajme
Kosovë, pro dhe kundër koalicionit LDK-PDK
Marrëveshja për bashkëqeverisje LDK-PDK po matet me dy "kute”. Disa e konsiderojnë pozitive sepse nxjerr vendin nga kriza, ndërsa të tjerët e quajnë vazhdimësi të krimit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish gjenerali në pension i UÇK-së, Rrustem Mustafa-Remi duket se është politikani më vizionar në Kosovë. Një ditë pas zgjedhjeve ( 9 qershor), ai tha se koalicioni qeverisës do të bëhet nga dy partitë e mëdha, LDK dhe PDK, “sepse kështu e kërkon procesi”. Të gjithë u tallën me këtë ide, por pas pesë muajve doli të jetë i saktë.
Një natë më parë, liderët e dy partive më të mëdha politike, Hashim Thaçi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nënshkruan një marrëveshje për bashkëqeverisje, duke i dhënë fund krizës politike pesëmuajshe.
Kjo marrëveshje nuk i kënaqi të gjitha partitë veçanërisht krahun ekstrem, Lëvizjen Vetëvendosjen dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Marrëveshja parashikon që posti i kryeministrit t’i takojë LDK-së ndërsa partia e Thaçit, në shkëmbim të kësaj posti do ta marrë kryetarit të Kuvendit dhe pas dy vjetëve, kur presidentja Atifete Jahjaga ta përfundon mandatin, vendin e saj ta zë Hashim Thaçi.
Po ashtu thuhet se postet ministrore dhe pozitat tjera nëpër ministri dhe agjenci shtetërore do të ndahet proporcionalisht. Por, për këtë çështje, dy partitë e koalicionet sot i kanë formuar grupet punuese të cilat do të merren me modalitetet qeverisëse.
Marrëveshja u përshëndet nga partitë nënshkruese, ndërsa nga liderët e partive që mbeten në opozitë, AAK, VV dhe Nisma, u quajt vazhdimësi e korrupsionit dhe krimit. Madje Isa Mustafa, i cili deri dje ka qenë pjesë e Bllokut pas-zgjedhor LANV, u apostrofua me epitetin e tradhtarit dhe të demagogut.
Thaçi e quan marrëveshjen LDK-PDK, parimore
Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi sot ka takuar Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të partisë, nga të cilët ka marrë mbështetje për koalicionin e arritur mbrëmë. Sipas tij, PDK dhe LDK kanë ngjashmëri në profil dhe program.
“Jemi vonuar, por është marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme, e sinqertë dhe e respektit të ndërsjellë që bazohet në parime, kritere e standarde të qeverisjes perëndimore. Kemi orientim të qendrës së djathtë si PDK dhe LDK. E po ashtu do të kemi një përfshirje edhe të spektrit politik gjithë-etnik”, ka deklaruar lideri i PDK-së, Thaçi.
Mbështetje marrëveshjes Thaçi – Mustafa, i ka dhënë edhe Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës.
Përmes një komunikate, LDK njofton se kryesia ka caktuar grupet punuese që do të merren me detajizimin e marrëveshjes në parim, përkatësisht grupi punues për strategji dhe grupi punues për harmonizimin e programit qeverisës. Por, ajo që nuk i ka ardhur mirë LDK-së, është akuzuar që i bëjnë partitë e ish bllokut.
“Është shqetësuese tendeca e këtyre liderëve që të përbuzin dhe denigrojnë personalitetin e liderit të LDK-së, me të cilin këta arritën marrëveshje për bashkëqeverisje dhe të cilin e pranuan si lider të koalicionit pas zgjedhor. LDK-ja i gëzohet faktit se tani është kuptuar qëllimi i vërtetë i liderëve të AAK-së dhe VV-së, që si duket nuk është ndryshimi i qeverisjes, por dëmtimi dhe denigrimi personal i liderit të LDK-së”, thuhet në kumtesë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, fton tërë sprektrin politik në Kosovë, të distancohet nga qëndrimet e tilla që polarizojnë dhe helmojnë skenën politike, dhe të bashkëpunojnë për themelimin e institucioneve të Kosovës.
Në anën tjetër, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj marrëveshja Thaçi – Mustafa e ka quajtur shumë të dëmshme për Kosovën. Ai ka thënë se do të punoj me aleatët, e opozitës për t’ia shkurtuar jetën kësaj qeverisje.
VV dhe AAK: Vazhdimësi e krimit dhe korrupsionit
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë gjatë një konference për gazetarë se marrëveshja PDK- LDK, paraqet një bashkim të dy modeleve të këqija qeverisëse që tashmë janë parë si në nivel të vendit, ashtu edhe në qeverisjen në Prishtinë.
“Përzierja e dy shkollave të dështuara qeverisëse do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë. Të dyja shkollat e tyre të qeverisjes (në Kosovë dhe në Prishtinë) janë dëshmuar si të dështuara. Më të këqijtë me më të ligët janë bërë bashkë dhe kjo nuk është në të mirë të Kosovës dhe të ardhmes së saj”, ka thënë Haradinaj.
Më i ashpër ka qenë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai ka thënë se kjo ishte një marrëveshje për fshehjen reciproke të dosjeve, duke drejtuar kritika sidomos në adresë të liderit të LDK-së, ndërsa nuk e fshehu akuzën ndaj ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson si kreatore të marrëveshjes.
“Kolaboracionizmi i Isa Mustafës me PDK-në do t’i bëjë të korruptuarit edhe më të pasur, kriminelët edhe më të mbrojtur, të varfrit edhe më të mjerë, klasën e varfër edhe më të mjerë, klasën e mesme edhe më të varfër, SHIK-un edhe më të fuqishëm, Mitrovicën edhe më të ndarë e Serbinë më të pranishme”, është shprehur Kurti.
Ndërsa bashkëthemeluesi i partisë Nisma për Kosovën, fraksion ky që doli nga PDK, Jakup Krasniqi tha se elektorati i dy partive ka dalë i tradhtuar dhe jo partitë opozitare. Madje thotë se pabesia është bërë tashmë kulturë e politikës shqiptare.
Krasniqi: Elektoratin e mori pusi
“I tradhtuar dhe i pusuar është elektorati i dy partive te koalicionit të ri, i harruar e i zhgënjyer është qytetari i Kosovës, të cilit i ka mbetur si zgjidhje ikja nga Atdheu. Dhe për ketë me vije keq, madje shumë keq! Ajo çka mua me vjen gjithashtu keq, është bërja e pabesisë kulturë e politikës shqiptare! Apo ndoshta kjo qenka politika!? Art i mashtrimit!” ka thënë Krasniqi.
Kurse, ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ndërkaq ka thënë për VOA-n se marrëveshja për koalicionin qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, është punë e politikanëve të Kosovës dhe jo e ambasadës amerikane apo e bashkësisë ndërkombëtare.
Ajo tha se qeveria e re, cilado që të jetë përbërja e saj, duhet të punojë shpejt dhe me përkushtim për përmbushjen e përparësive strategjike të Kosovës, ndërsa shfaqi shpresën se java e ardhshme mund të gjejë vendin me institucione të reja.
Marrëveshja për bashkëqeverisje ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, është ndërmjetësuar nga presidentja Atifete Jahjagadhe ku ka qenë e pranishme edhe ambasadores amerikane Jacobsson. Kjo marrëveshje i jep fund krizës politike pesëmuajshe, ndërsa pritet të jetësohet javën e ardhshme. Qeveria dhe Kuvendi do të miratohen në pako.
E-Diaspora
-
Nga Suedia, Rina Januzi nominohet në “Netët e Klipit Shqiptar 2025” Një storie suksesi nga Suedia ...
-
Dega e LDK-së në Zvicër shënoi 35-vjetorin e saj
-
Gjenevë: Anjeza Maqani diplomon me dy tituj në Universitetin Webster
-
Ekspozita “Gjergji në Art”, nderim artistik për 620-vjetorin e lindjes së Skënderbeut
-
Rrënjët që nuk thahen: Familja Limoni, muze i shpirtit shqiptar
Jeta në Austri
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri Nga pazaret e tregut te programet e besnikërisë së supermarketeve, ka shumë mënyra për t’i bërë...
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri