Kosova

Kosovë: PDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Avni Deharit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka njoftuar se PDK-ja ka dorëzuar kallëzim penal edhe ndaj Avni Deharit.

Përmes një konference për media Gruda ka thënë se si deputeti më i vjetër në Kuvendin e Kosovës, ai duhet ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive por një gjë të tillë nuk po e bën andaj kanë deponuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj tij për “Shpërdorim të detyrës zyrtare”.

“PDK-ja sot depoziton një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj deputetit Avni Dehari. Siç e dini për shkak të moshës është kryesues i seancës konstituive por këtë detyrë ai nuk po e ushtron në përputhje me rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës. Siç e dini Kuvendi duhet të mblidhet çdo 48-orë por Dehari nuk po e fton vazhdimin e seancës konstituive. Përkundër që ne i kemi dërguar disa letra, ai nuk ka reflektuar dhe nuk e ka thirrur seancën. Mendojmë se me këtë Dehari ka konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, një ditë më parë PDK-ja dorëzoi kallëzim penal edhe ndaj Albin Kurtit dhe deputetëve të LVV-së të cilët sipas tij, mbajnë funksione të dyfishta, ministra dhe deputetë.

Ndërsa, Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale në lidhje me 17 vendimet që janë marrë në mbledhje të Qeverisë në detyrë, e që kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Sipas Aleancës kjo është e ndaluar me Ligjin për Qeverinë dhe në vlerësimin e juristëve që e përfaqësojnë këtë lëndë, bie ndesh me ligjin.