Kosova

Kosovë: Kundërshtohet dënimi i Salih Mustafës

Reagime të shumta ka ngjallur aktgjykimi dënues i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë kundër ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Të padrejtë për luftën e UÇK-së e ka konsideruar spektri politik në Kosovë dënimin e shqiptuar ndaj njërit nga ish-eprorët e UÇK-së, Salih Mustafa-Cali, i cili është dënuar me 26 vjet burg për krime lufte.Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar nëpërmjet një komunikate. Ky subjekt politik ka thënë që presin që shkalla e dytë ta lirojë Mustafën pasi, sipas tij, që nuk ka prova për përfshije direkte të tij në krime lufte.

“Lëvizja VETËVENDOSJE dhe subjektet opozitare asokohe ishin të vetmet subjekte politike që nuk e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale. Ne besojmë se Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje speciale e eksperimente, por për institucione normale si të çdo vendi tjetër. Edhe drejtësia jonë duhet të rrjedhë nga funksionalizimi i gjykatave normale e jo duke themeluar gjyqe speciale”, ka thënë VV-ja.

Edhe PDK dhe AAK  kanë kundërshtuar këtë vendim.

Memli Krasniqi, ka thënë se pjesëtaret e UÇK-së që po mbahen në Hagë janë pjesë e krenarisë kombëtare.

“Dënimi i sotëm i Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxit indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, është shprehur Krasniqi.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë që beson fuqishëm në pastërtinë e UÇK-së.

“Dënimi sotëm i Sali Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë dhe rasti i tij në një shkallë tjetër shpresoj ta marrë një epilog tjetër për lirinë e tij, siç ka ndodhur në plot raste të tjera, që dënimet drakoniane janë rikthyer në pafajësi!” ka thënë Haradinaj.