Lajme

Kosovë-Kroaci, marrëveshje për Gjeoshkencë

Ministri i Ekonomisë, Fadil Ismajli tha se Memorandumi me Kroacinë krijon kushte për shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen njohurive në fushën e gjeoshkencave

Agjencia Gjeologjike e Kosovës dhe Instituti Gjeologjik i Kroacisë, nënshkruan të enjten në Prishtinë, një Memorandum Bashkëpunimi në Shkencat Gjeologjike. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija.

 

Marrëveshja u nënshkrua nga i kryeshefi i Agjencisë Gjeologjike të Kosovës, Fidaim Sahiti dhe drejtori i Institutit Gjeologjik të Kroacisë Josip Halamiq.

 

“Memorandumi parasheh bashkëpunim në hulumtime gjeologjike, përfshirë: korrelacionin e litostratigrafisë në dy vendet; hulumtimet e hollësishme dhe vlerësim gjeologo-ekonomik të vendburimeve metalore, jo-metalore dhe energjetike; përpunimin digjital i të dhënave gjeologjike nga hulumtimet, etj”, u tha me këtë rast.

 

Ministri Ismajli tha se Kosova është vend atraktiv me pasuri mjaft të mëdha natyrore minerale dhe se sektori minerar është jo vetëm një pasuri dhe treg i veçantë në vetvete, por edhe burim për zhvillimin e jetës ekonomike dhe sociale në vend.

 

Ai tha se nënshkrimi këtij Memorandumi të bashkëpunimi krijon kushte për shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen njohurive në fushën e gjeoshkencave aplikative.

 

Ismalji shprehu vullnetin e Qeverisë për zhvillimin e bashkëpunimit me të gjithë partnerët që kanë synime dhe objektiva për investime në sektorin e hulumtimeve minerale.

 

Ndërkaq, ambasadori kroat në Kosovë, Zoran Vodopija tha se me marrëveshjen AGJ-IGK, Kroacia i jep Kosovës atë që është më e rëndësishmja, siç është dija, duke ditur se Kosova është e pasur me minerale.

 

Ai tha se me këtë do t’i mundësohet Kosovës një kualitet më i lartë i njohurive që të merret me çështjet si Trepça, por edhe me projektet tjera, ndërsa njoftoi se Kroacia ka ndarë disa bursa për fushat që i nevojiten më së shumti vendit.