Kosova
Kosovë: Hapet fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Kosova i është bashkuar sot fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të fushatës bëri thirrje për ndërgjegjësim, për drejtësi e për barazi, për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, për një shoqëri ku çdo grua dhe vajzë ka të drejtën të jetojë e lirë, e të ëndërrojë pa frikë.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se në këto 16 ditë nderojmë viktimat, mbështesim të mbijetuarat, flasim zëshëm e veprojmë bashkë.
“Si qeveri, po veprojmë çdo ditë. Po forcojmë ligjet. Po rrisim ndihmën për strehimoret. Po fuqizojmë gratë ekonomikisht”, tha ai, duke shtuar se në përkrahje të viktimave të dhunës në baza gjinore kemi ndarë tre milionë euro mbështetje financiare për strehimoret dhe organizatat e licensuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare gjatë vitit 2023 dhe 2024, po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike, ndërsa për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës, kemi miratuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Në kuadër të mbështetjes, kryeministri përmendi zbatimin e masës së punësimit për gratë që janë viktima të dhunës. Përmes kësaj mase, qeveria subvencionon 70% të pagës së të punësuarave për gjashtë muaj me radhë. Pastaj lansimin e programit psiko-social për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje dhe po zbatojmë Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, me ç’rast 87% e aktiviteteve janë zbatuar plotësisht ose janë në zbatim e sipër.
Më tej, kryeministri Kurti theksoi se jemi të vetëdijshëm që dhuna me bazë gjinore është fenomen global, produkt i sistemit patriarkal të funksionimit së shoqërisë e i kapitalizmit neoliberal dhe fatkeqësisht një fenomen ndaj të cilës nuk janë imune as shoqëritë e përparuara perëndimore.
“Ligjërimet e rikthyera të lëvizjeve të ekstremit të djathtë që trumbetojnë kthimin në formën tradicionale të jetesës nuk kanë ndonjë vizion tjetër përpos rimarrjen e kontrollit mbi trupat e grave. Dhuna me bazë gjinore është veç zgjatim i kësaj mendësie arkaike që nuk duron shoqëria të funksionojë në parime të barazisë. Andaj, politike është edhe personalja e grave – e drejta mbi lirinë për të jetuar jetën e për të pasur mirëqenien pa diktatin e hegjemonisë së shoqërive patriarkale e të shfrytëzimit ekonomik”, tha kryeministri Kurti.
Ai shtoi se “duke luftuar dhunën, angazhohemi për lirinë. Duke fuqizuar gratë, forcojmë shoqërinë, shpijmë përpara barazinë dhe zhvillimin në shtetin tonë” dhe beteja nuk është vetëm e grave, por e burrave dhe grave së bashku, sepse një shoqëri e lirë nga dhuna është shoqëri më e fortë, më e drejtë dhe më njerëzore
Ndërkaq ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se “16 Ditë të Aktivizmit” nuk janë thjesht një periudhë simbolike, por një thirrje për veprim të pandërprerë dhe të palëkundur; një thirrje për të shkatërruar heshtjen që shpeshherë mbulon dhunën dhe për të krijuar një kulturë ku dhuna nuk tolerohet, por dënohet ashpër. Përmes kësaj fushate, tha më tej ajo, dërgojmë një mesazh të qartë: dhuna nuk është çështje private, por problem shoqëror që kërkon zgjidhje dhe angazhim kolektiv.
“Ne e dimë se dhuna nuk njeh kufij socialë apo ekonomikë; ajo prek çdo shtresë të shoqërisë dhe dëmton jo vetëm individët, por edhe brezat e ardhshëm. Për këtë arsye, kjo fushatë është një thirrje për ndërgjegjësim, për të shpërbërë normat dhe stereotipat që lejojnë dhunën të mbijetojë. Nëse duam një shoqëri të barabartë dhe të drejtë, duhet të ndalojmë së toleruari çdo formë të dhunës dhe diskriminimit”, u shpreh ministrja Haxhiu.
Fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” për vitin e tretë radhazi po organizohet nga Ministria e Drejtësisë.
E-Diaspora
-
Nga gushti i vitit të ardhshëm, Italia heq kartën e identitetit fizikë, preken edhe shqiptarët Raportohet se nga 3 gushti 2026, kartat e identitetit fizike (në letër) të lëshuara në Itali...
-
4 milionë euro për policen e sigurimeve për mërgimtarët, vlerësohet vendim i padrejt
-
Nga 1 korriku, Aeroporti i Prishtinës nis fluturime të rregullta drejt Lionit
-
Detaje të reja rreth vrasjes së 25-vjeçarit shqiptar në Itali
-
Shkodran Osmanaj performon në Festival d’Aix-en-Provence me Orkestrën Bayerische Rundfunk
Jeta në Austri
-
Subvencionet mbi 1,500 euro do të bëhen publike në Austri nga shtatori Austria po ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt transparencës me hyrjen në fuqi të një ligji...
-
Vala e të nxehtit në Austri nxit masa emergjente
-
Austria synon të shtyjë punonjësit mbi 60 vjeç të qëndrojnë më gjatë në punë
-
Austri: Frikë nga turizmi lakuriq nga Zvicra
-
Austri: Një projekt i ri pilot synon mësimin e gjuhës gjermane fëmijëve migrantë në kopsht