Lajme

Kosovarët të rrezikuar nga produktet e kontaminuara

Shamponi „Kosil“, Margarina „Vital“, peshku aziatik dhe disa produkte të qumështit, janë vetëm disa nga produktet e importuara që janë vlerësuar si kancerogjene

Qytetarët e Kosovës janë të rrezikuar në vijimësi nga produktet e  dyshimta, të cilat hyjnë në Kosovë pa u kontrolluar mirë nga cilësia dhe qëndrueshmëria.Vetëm brenda katër muajve në Kosovë kanë hyrë disa produkte me cilësi të dyshimtë, që përmbanin  elemente kancerogjene.

Shamponi Kosil, Margarina Vital, peshku aziatik dhe disa produkte të  qumështit, ishin produktet e dyshuara për nga cilësia. Qumështi me mbidozë të aflatoksinës që ishte prodhuar në Serbi, Bosnje e Hercegovinë e Kroaci, ishin produktet e fundit, shitja e të cilave u ndalua në tregun kosovar.

Edhe më të dyshimta, produktet e huaja që importohen në Kosovë i bën  mungesa e një laboratori vendor, në të cilën do të analizoheshin të gjitha produktet ushqimore që hyjnë në Kosovës. Këto dyshime kanë dal në pah me rastin e Javës së Konsumatorit, i cili  ka nisur të enjten.

Shoqata për mbrojtjen e konsumatorit dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës duke përmendur këto raste, theksojnë se janë duke punuar për vetëdijesimin e qytetarëve për paraqitjen e ankesave kur ata hasin në produkte të dyshimta.

Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku,  thotë se Kosova ka të rregulluar mirë legjislacionin në aspektin e mbrojtjes së konsumatorit, por kjo nuk mjafton duke pasur parasysh nivelin e zbatueshmërisë së ligjeve në Kosovë.

“Nuk është e mjaftueshme, sepse zbatueshmëria e ligjeve për mbrojtjen e konsumatorit e ka fatin e ligjeve të tjera. Është e ditur se  zbatueshmëria e ligjeve në Kosovë, nuk e arrin nivelin 40 për qind”, tha Kaçaniku.

Ai tha se mungesa e laboratorëve për bërjen e analizave të produkteve,  të cilat hasen si të dyshimta, janë një pengesë mjaft e madhe në Kosovë. Laboratorët duhet të jenë të pavarur dhe nën mbikëqyrjen e  konsumatorit, konsideron Kaçaniku.

“Mungesa e laboratorëve dhe ekspertëve, motivimi i pamjaftueshëm i  mekanizmave  kadrovik e financiar po na kushton shumë shtrenjtë.  Derisa ne, si konsumatorë, po e vërejmë se diçka ka ndodhur dhe po dëshmohet se, në mungesë të laboratorëve, në organizmin tonë ka hyrë   një ushqim i kontaminuar. Në këtë aspekt duhet të punojmë shumë më shumë”, shton Kaçaniku.

Sidoqoftë, rastet e fundit të produkteve të dyshimta kanë ngritur  vetëdijen e qytetarëve për të bërë ankesa.  Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, derisa në vitin e kaluar numri i rasteve që konsumatorët i kanë paraqitur rastet në Departamentin për mbrojtjen e konsumatorit ishte 109 ankesa, në vitin 2013 vetëm për tre muaj janë paraqitur 86 ankesa.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cuneyd Ustaibo, thotë se  ka një përmirësim të lehtë në mbrojtjen konsumatorit, por ende mbetet shumë për t’u bërë në mënyrë që mbrojtja e konsumatorit të rregullohet sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare.

“E drejta e konsumatorit mbrohet me ligj dhe çdo njëri nga ju që hasni  në padrejtësi, duhet ta raportoni atë”, thotë Ustaibo