Kultura

Kosovarët, “ikin” nga kultura

Numri i shfaqjeve teatrore, i filmave të dhënë nëpër kinema, ekspozitave në galeri të ndryshme është shumë i madh, megjithatë mungon publiku dhe vizitorët

Të dhënat statistikore në Kosovë tregojnë për një rënie gjithnjë e më të madhe të interesimit të publikut kosovar për teatrin, kinemanë dhe në përgjithësi për kulturën. Edhe pse numri i shfaqjeve teatrore, i filmave të dhënë nëpër kinema, ekspozita në galeri të ndryshme, është shumë i madh, megjithatë mungon publiku dhe vizitorët.

Artistët dhe ekspertët japin arsyetime të ndryshme. Ata thonë se në skenat kosovare mungon kriteri profesional, ka mungesë të kritikës së mirëfilltë artistike, s’ka ambientit të përshtatshëm për debat dhe dialog kulturor, nuk respektohen të drejtat e autorit etj., Por, një gjë është e sigurt: në Kosovë ka “ikje” prej kulturës, thonë ata.

Në statistikat e fundit për kulturën që i ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK): “Statistikat e Kulturës 2013”, numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ka qenë 8 premiera dhe 150 repriza, ndërsa numri i shikuesve ka qenë vetëm 7500 shikues.

Po sipas këtij publikimi rezulton se edhe numri i filmave të shfaqur në kinematë dhe shtëpitë e kulturës nëpër komuna e Kosovës në vitin 2013 ishte i madh-127, prej tyre 43 filma vendorë, ndërsa 84 të huaj, por pati pak shikues-gjithsejtë 60.414 shikues.

Dalipi: Politizimi mbyt kulturën

Aktori, regjisori dhe producenti nga Prishtina, Avni Dalipi, ka thënë se, sikurse shumë segmente të tjera të shoqërisë kosovare, as teatri dhe as kinematografia nuk kanë mundur t’i shpëtojnë politizimit dhe stërkeqjeve klanore, klienteliste, nepotizmit etj. Përveç kësaj, Dalipi tha se edhe menaxhimi dhe organizmi i skenave teatrore dhe kinematografike, ka qenë i keq.

“Ka munguar planifikimi i repertoreve ne Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe ne teatrot e tjera … sigurisht edhe për mungesë buxhetore, por edhe duke krijuar projekte marramendësisht të shtrenjta me autorë të dyshimtë të huaj, e të cilat projekte nuk kanë arritur sukses që të prezantohen së paku në ndonjë festival për ta prezantuar Kosovën. Dhe krejt kjo për të plotësuar shijet dhe dëshirat e klaneve që kanë udhëhequr me teatër”, tha ai.

Pra, për të qenë pjesë e këtyre projekteve, sipas tij, nuk ka qenë standard kualiteti artistik, por të qenit pjesë e klanit.

“Ka munguar planifikimi i repertorit, duke u bazuar në stafin e aktorëve dhe të arriturave të aktorëve dhe regjisorëve. Ka munguar planifikimi i repertorit duke u bazuar në realizimin e shfaqjeve me interes-pra me interes që do të nxiste publikun të jetë pjesë e këtyre shfaqjeve”, ka thënë Avni Dalipi.

Ramabaja: Ikja nga tradita, ikja nga kultura

Shkrimtari Rushit Ramabaja është autor i disa dramave, me disa prej të cilave edhe ka marrë shpërblime-kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2010 ai e mori shpërblimin e parë të Konkursit për Dramën Kombëtare të Tetarit Kombëtar të Kosovës me komedinë “Cubi i Kukurecit”, e cila më vonë u inskenua në skenën e këtij teatri.

Në një prononcim për “Albinfo.Ch” ai tha se ikja e publikut nga teatri vjen për shkak se teatri shqip gjithnjë e më shumë po ikë nga tradita dhe identiteti i vet.