Lajme
Kosovarët dhe Migrimi
Sa herë që dikush përmend ambasadat e huaja që veprojnë në Kosovë, pa dyshim që pamja e parë që të bie ndërmend janë radhët e gjata të njerëzve që presin për të marrë ndonjë vizë që të braktisin vendin.
Alban Sejdiu, një 22-vjeçar nga fshati Malishevë i Gjilanit, po provonte të merrte një vizë për të udhëtuar në Zvicër.
“Po unë nëse e marr vizën, e kom ndërmend me ndejt pak në Zvicër, nese nuk muj me bo diçka atje, atëherë do të provoj në Francë”, shprehet Albani.
Por, askush nuk e di se sa njerëz brenda vitit aplikojnë për të marrë viza nëpër ambasadat e huaja në Prishtinë, sa viza jepen brenda vitit e sa refuzohen.
Në asnjërën nga këto pyetje nuk ka dashur të përgjigjet shefi i administratës së ambasades zvicerane në Prishtinë, Urs P. Lustenberger.
“Më vjen keq t’ju informoj se kjo ambasadë nuk publikon të dhëna statistikore për aplikimet për të marrë vizë, për vizat që jepen ose ato që refuzohen”, ka deklaruar Lustenberger.
Rreth 25 për qind e kosovarëve po t’ u jepej mundësia do ta lëshonin Kosovën për të emigruar në ndonjë vend të Evropës.
Ndërsa, shumica prej tyre thonë se arsyeja kryesore që i motivon për t’u larguar nga Kosova është gjendja e pavolitshme ekonomike në familje, tregon një hulumtim i bërë nga The Kosovo Public Pulse Project. Atdhe Hetemi nga UNDP-ja thotë se vetëm 2.8 për qind e të rinjve dëshirojnë të shkojnë jashtë Kosovës për t’ u arsimuar. Ai tregon se Franca, Zvicra dhe Gjermania janë vendet ku të rinjtë kosovarë dëshirojnë të shkojnë për të jetuar.
“Sipas rezultateve të studimit, 16.3 për qind e familjeve në Kosovë kanë plane specifike për të emigruar në të ardhmen e afërt. Dy zgjedhjet më të preferuara për cakun e dëshiruar të vendit të emigrimit përkojnë me të dy vendet në të cilat pjesa më e madhe e emigrantëve tashmë banojnë, pra Gjermania dhe Zvicra.
Një pjesë e konsiderueshme e familjeve planifikojnë të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara”, thekson Hetemi. Ekonomia e Kosovës përballet me shumë pengesa strukturore, të cilat kufizojnë kushtet aktuale socioekonomike.
Ndërsa, infrastruktura e rrënuar dhe investimet e ulëta kufizojnë aftësinë e Kosovës për të plotësuar nevojat e saj në rritje për energji elektrike, prandaj këto janë shkaqe që i shtyjnë kosovarët të emigrojnë, shprehet sociologu Mytaher Haskukaj. “Infrastruktura rrugore dhe infrastruktura e shkollave janë gjithashtu të pazhvilluara. Privatizimi i ndërmarrjeve në pronësi shoqërore ende nuk ka përfunduar dhe ka shumë vend për përmirësimin e shërbimeve publike të kujdesit shëndetësor dhe të sundimit të ligjit. Kjo i demoralizon njerëzit dhe i shtyn ata të shikojnë në ndonjë vend tjetër, duke shpresuar për më mirë”, shprehet Haskukaj.
Ndërkaq zv.ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Zenun Pajaziti, deklaron se ata kanë disa programe për t’ i stimuluar të rinjtë që të mos e lëshojnë vendin. Por, Pajaziti pranon se ato nuk janë të mjaftueshme. Sipas studimeve të Bankës Botërore të vitit 2007, rreth 400.000 kosovarë jetonin jashtë vendit.
E-Diaspora
-
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze Në kuadër të World Economic Forum (WEF) 2026 në Davos, një nga ngjarjet më prestigjioze globale... -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare -
Mynih
Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç












