Futboll

Kosovare Asllani sinjalizon vazhdimin e karrierës me Suedinë

Shtyhet pensionimi i Asllanit te Përfaqësuesja e Suedisë

Gjatë Kampionatit Evropian të kësaj vere, Kosovare Asllani kishte lënë të kuptohej se koha e saj te Përfaqësuesja e Suedisë po i afrohej fundit. Mirëpo, pas ndeshjes së fundit ndaj Francës të premten mbrëma, situata duket të ketë marrë një kthesë tjetër.

Në gjysmëfinalen e parë, të cilën Suedia e humbi 2:1, Asllani mban rolin e kapitene­s, duke treguar edhe një herë se është ende një pikë referimi për ekipin kombëtar. 36-vjeçarja është futbollistja me përvojën më të madhe aktualisht në skuadër, pasi shumica e lojtareve të tjera të afirmuara tashmë janë pensionuar — përfshirë edhe bashkëlojtarën e saj të njohur, Magdalena Eriksson.

“Kam mbetur vetëm unë,” ka thënë Asllani me një buzëqeshje, në një intervistë të dhënë pas ndeshjes.

“E di që pyetjet për pensionim do të më përcjellin vazhdimisht, por unë ende e dua lojën, e dua shtetin dhe klubin tim. Ndihem shumë mirë fizikisht, ndaj përgjigjen për pensionimin do ta jap më vonë.”

Asllani theksoi se dëshiron të vazhdojë të luajë derisa të jetë plotësisht e bindur se ka ardhur momenti t’i lë hapësirë brezit të ri. Ajo ndien përgjegjësi të madhe si lidere dhe është e përkushtuar të transmetojë përvojën e saj te futbollistet e reja.

“Jam mësuar me këtë përgjegjësi. E dua përfaqësuesen dhe është e vështirë të largohesh kur ndien se mund të kontribuosh ende,” u shpreh ajo.

Me 205 paraqitje dhe 50 gola të shënuar, Kosovare Asllani mbetet njëra ndër lojtaret më të rëndësishme në historinë e Suedisë — dhe duket se ky kapitull ende nuk është mbyllur.