Lajme

“Kosova: vend me perspektiva ekonomike shumë interesante”

Bashkim Zejnullahu është një ndër kosovarët e rrallë të diaporës që ka përfituar nga fondi kreditor për investime SSF i SECO-s

Në vitin 2006 ndodh kthesa në jetën e Bashkimit. “Këtë vit hapa filialën e Kompanisë YourMail Kosovo që merret me shtypin dhe distribuimin e shtypit ndërkombëtar. Unë prej këtij momenti kisha licencën për të rishtypur në Kosovë gazeta e publikime të ndryshme nga Zvicra dhe nga vende tjera. Po ato, pastaj i distribuoj në tregun e Kosovës”, thotë ai. Kurse një vit më vonë Bashkim Zejnullahu tashmë kishte vendosur të kthehej definitivisht në Kosovë, bashkë me gruan dhe aso kohe dy fëmijët.

Por kush është Bashkim Zejnullahu? I lindur në vitin 1975, ai ka kryer shkollën e mesme në Kosovë, ndërsa në vitin 1991 ka ardhur në Zvicër ku i është bashkuar familjes që jetonte në Bernë. Ai thotë se kurrë më parë nuk kishte menduar që të vendosej si i përhershëm në Zvicër. Për faktin se, siç shprehet, kishte pasur shumë vullnet dhe ambicie të mbaronte shkollimin e lartë në Kosovë.

Sidoqoftë, Bashkimi, në vitin 1992, pasi i vë bazat e njohjes së gjuhës gjermane vazhdon shkollimin në Zvicër. Pastaj ka kryer shkollën BFF dhe një vit më vonë është punësuar dhe ka vazhduar shkollimin në Handelsschule (shkollë biznesi). Në vitin 2002 ndërkaq, ai ka ndërruar profesionin. Fillon të punojë si udhëtar komercial (Handelsreissende) duke bërë seminare të ndryshme rreth marketingut.

Këtu duket se janë edhe fillet e ndërmarrësisë së investuesit të ardhshëm.

©albinfo.ch

Së shpejti me linjën e re të prodhimit, bashkëfinancim me SECO-n

“Kompanitë që operojnë tash në Kosovë, të cilat janë prona dhe kapital personal imi janë: “Tina Petrol”, “YourMailKosovo” dhe “ThesAri”, të gjitha në Kllokot, thotë Bashkimi, pa harruar të theksojë edhe meritat e familjes. “E gjitha është edhe një kontribut i familjes së gjerë, e cila jeton dhe punon në Biberist të Solothurnit”.

Në kuadrin e fimrës “ThesAri”, prodhohet briketi, lëndë nga druri që shfrytëzohet për ngrohje. Ndërsa  tash së shpejti do të fillojë edhe prodhimi i pellet-it, një produkt tjetër i cili prodhohet nga mbeturinat e durit dhe përdoret për djegie.

Linja më e re, do të jetë rezultat i bashkëpunimit të frytshëm të Bashkim Zejnullahut me SSF, respektivisht me SECO-n. “Për të ngritur në këmbë këtë projekt, jemi mbështetur nga Seco. Ajo na ka ndihmuar duke na ofruar një kredi për ndërtimin e linjës dhe blerjen e makinerisë për prodhimin e pelletit. Kushtet e kredisë në vlerë prej 500 mijë frangash janë tepër të volitshme, po thuaj pa kamatë”, thotë ai.

© albinfo.ch Bashkim Zejnullahu

Bankat në Kosovë fare pak të interesuara për prodhim

Ndërkaq, ai bën menjëherë krahasimin me bankat që operojnë në Kosovë, të cilat, sipas tij, “prodhimin e shohin si një risk dhe janë fare pak të interesuara të bashkëpunojnë. Duke pasur parasysh këtë, mendoj se në një afat më të gjatë dhe me kusht që të ketë interes për investime në Kosovë, Seco ofron një program shumë interesant”, thotë Bashkimi.

Ai aktualisht ka të punësuar rreth 30 punëtorë dhe, së shpejti do të jenë më shumë. “Deri në fund të majit, me zgjerimin e kapaciteteve, me fillimin e prodhimit të pelletit, do të kemi mbi 50 të punësuar. Aktualisht përpunojmë rreth 20 toelata material në ditë”, shprehet investuesi ambicioz.

Ndërsa përvojat me lëndët djegëse briket dhe pellet në Kosovë janë fare të reja. “Pelleti ësht një produkt natyral dhe ekologjik i cili nuk ishte shumë i
njohur në Kosovë por ka filluar në masë të madhe të përdoret viteve të
fundit. Megjithatë, kemi kërkesa për eksport edhe në tregun e jashtëm dhe me siguri këtë vit do të fillojmë me eksport të pelletit për Itali”.

Barrierat burokratike nuk e zmbrapsin vullnetin për punë

Rreth katër vjet sa po i bën i kthyer sërish në Kosovë, Bashkimi ka pasur edhe përvoja të këqija me burokracinë e atjeshme, me punën pa përkushtim etj. “Burokracia në Kosovë ësht shumë e ndërlikuar dhe për fat të keq mungojnë
njerëzit profesionalë në vende të caktuara (më tepër janë poste politike).
Nuk interesohet askush për prodhimin. Mjerisht, interesimi i tyre shkon vetëm deri atje ku shohin interesin personal të tyre.

Por me megjithatë mundohemi të bashkëpunojmë me institucionet lokale”, shprehet i vendosur i kthyeri nga Zvicra.

Pos nga SECO, ai thotë se ka gjetur përkrahje edhe nga institucione tjera ndërkombëtare që operojnë në Kosovë. “USAIDI amerikan, për shembull, na ka përkrahur si financiarisht ashtu edhe moralisht”.

Për fund, Bashkimi thotë se me gjithë pengesat, investimi në Kosovë është një punë që ia vlen. “Unë ju kisha sugjeruar të gjithë bashkatdhetarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit se Kosova është vend i hapur, vend me perspektiva shumë interesante. Njeriu mund ta gjejë veten në këtë vend të vogël. Patriotizmi më i madh do të ishte të investohet në gjëra të reja, duke krijuar vende pune dhe duke sjellë këtu përvoja evropiane”.

©albinfo.ch

Programi SFF i SECO-s

SECO (Sekretariati i Shtetit për Ekonomi) udhëheq që nga viti 1997 fondin kreditor SSF kreditor (Seco Start up Fond) i cili ofron kredi me kushte të volitshme, për investime private në vendet në zhvillim. Projektet që i financon ky fond duhet të jenë të qëndrueshme ekonomikisht dhe që tu përmbahen standardeve të njohura të mbrojtjes së ambientit dhe standardeve sociale. Risku të cilit i nënshtrohen projektet investuese në vendet në zhvillim është zakonisht më i madh se ai i zakonshmi, në vendet perëndimore. Së këndejmi, është synim i SFF që të ndajë financimin dhe rrezikun me investuesit, me ç`rast bëhet financimi i përbashkët i fazës së ndërtimit të objektit.