Lajme

Kosova s’ka politikë të investimeve

Muhamet Mustafa, ekspert i ekonomisë, thotë se derisa nuk ka investime të jashtëm në Kosovë, kjo tregon se nuk është krijuar mjedisi i përshtatshëm për investime

Republika e Kosovës posedon resurse të konsiderueshme minerale dhe bujqësore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por nuk ka politika zhvillimore që garantojnë këtë. Kështu të pakën vlerësojnë ekspertët e ekonomisë, të cilët kërkojnë një qasje tjetër në politikat ekonomike.
 
Sipas tyre, resurset minerale, metalike, industria e tekstilit dhe sektori i  bujqësisë, konsiderohen si sektorë mjaft tërheqës, si për investitorë vendorë, po ashtu edhe për ata ndërkombëtarë.

Muhamet Mustafa është ekspert i çështjeve ekonomike dhe themelues i institutit Riinvest.

Ai konsideron se Kosova ka kapacitete edhe pse deri më tani nuk kanë sjellë efektet e duhura.

“Kapacitetet mund të jenë potenciale, por ato mund të shfrytëzohen vetëm atëherë kur krijohen parakushtet…me një shtet ligjor me qeverisjes së suksesshme makro-ekonomike, të sigurisë së investitorëve, të zbatimit të kontratave dhe shumë aspekte të tjera”, konsideron Mustafa, raporton REL.

 
Ndërkaq eksperti Mustafë Hasani, popullatën e re e konsideron si potencial kryesor në vend, duke përmendur resurse tjera që mund të ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
 
Hasani, i cili ka qenë edhe udhëheqës i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, tregon se interesimi i investitorëve të huaj nuk ka munguar për sektorët të ndryshëm në vend.
 
“Resurse tjera që ne kemi, materiale, janë sidomos ato të minierave dhe mineraleve. Viteve të pasluftës nuk e kemi zhvilluar këtë resor që mund të jetë shumë atraktiv”, mendon ai.
 
Sipas Hasanit, ka ende fuqi punëtore që është e përgatitur dhe mund të tërheqë investitorë të huaj, për shembull në sektorin e tekstilit.
 
“Është pjesa e Gjakovës, ku mund të tërhiqen kompani të ndryshme që dëshirojnë të bëjnë punimin e dorës, për shkak të makinave në fabrikat që ekzistojnë; për shkak të fuqisë së lirë punëtore dhe ato prapë të kthehen në vendet të tjera”, shprehet Hasani.
 
Por Muhamet Mustafa, nuk përmend ndonjë sektor të caktuar, mirëpo e rëndësishme, sipas tij, është që sektorë ka të mjaftueshëm.
 
Ai, ndërkaq, vlerëson se në rend të parë duhet të krijohet një ambient i përshtatshëm që investitorët potencialë t’i zgjedhin vetë sektorët e dëshiruar.
 
“Fakti se nuk kemi investime të investitorëve të jashtëm, por as të brendshëm, tregon se nuk është krijuar një mjedis që i ndërlidh këto bashkësi të parakushteve. Do të thotë nuk janë vetëm burimet, nuk janë vetëm parakushtet, por është edhe sistemi qeverisës, sistemi ekonomik”, vlerëson Mustafa.