Lajme

Kosova për tre muaj lëshon vetëm 174 viza

Në periudhën tremujore korrik-shtator 2013, numri i përgjithshëm i vizave që janë dhënë nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll është 174

Autoritetet e Republikës së Kosovës që nga korriku i këtij viti, kanë lëshuar vetëm 174 viza për shtetasin e huaj që dëshirojnë të vizitojnë Kosovën. Ndërsa 10 për qind e ndërkombëtarëve që kanë kërkuar viza, u është refuzuar ardhja në shtetin më të ri të Ballkanit.

Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e Ministrisë kosovare të Punëve të Jashtme, sipas të cilëve, Republika e Kosovës nga 1 korriku ka aplikuar regjimin e vizave për tetëdhjeteshtatë (87) shtete të ndryshme të botës. 

Afganistani, i pari shtet që ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, është po i pari në listë për të marrë vizë qëndrimi në Kosovë, pasuar nga shtete të tjera me shumicë nga Lindja e Mesme, por edhe të tilla nga pjesa jugore e Amerikës, apo edhe vetë Rusia.

Aplikuesit fatlumë kanë kaluar pothuajse nëpër të njëjtën procedurë që kanë shtetasit kosovarë për të udhëtuar jashtë Kosovës, raporton “Zëri”.

Në aplikimin e vizave përfshihen: dëshmia për qëllimin e qëndrimit në Republikën e Kosovës, rezervimi i itinerarit të udhëtimit, mjetet financiare të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit, sigurimin shëndetësor me mbulesë minimale prej 30 mijë eurosh dhe raportin e xhirollogarisë bankare për gjashtë muajt e fundit.

Artan Behrami është këshilltar për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai thotë se deri më tani kërkesat më të mëdha kanë ardhur prej vendeve të Lindjes së Mesme, me fokus Afganistanin e Libinë, ndërsa jo rrallë ndodh edhe refuzimi i vizave.

“Vizat kryesisht refuzohen shkaku i qëllimit të vizitave të shtetasve të huaj, apo edhe gabimet në plotësimin e dokumentacionit. Arsyet për të cilat deri tani më së shumti janë dhënë viza për shtetasit e huaj janë turistike, vizita zyrtare dhe vizita të thjeshta miqësie”, tregon Behrami.

Numri i vizave të refuzuara shkon në kuotën 10 për qind nga vizat e lëshuara, tregon Behrami. Sipas tij, regjimi është kriter dhe parakusht për integrimin evropian të vendit.

“Si rrjedhojë, legjislacioni dhe procedurat njëkohësisht janë në harmoni me kodin Schengen, ndërsa plotësimi i kushteve për vizë ndikon automatikisht në procedimin e vizës, apo refuzimin e saj. E gjitha varet varësisht prej aplikimit dhe qëllimit të vizitës së shtetasve të huaj në Kosovë”, shton Behrami.

Sa i përket pagesës që shtetasit e huaj duhet të paguajnë për vizë kosovare, ajo ndryshon në bazë të kategorive që u përkasin aplikuesit.

“Shumat megjithatë sillen prej 35 euro e më shumë, por disa kategori janë të liruara kjo në bazë të rregullores administrative për dhënien e vizave ndaj këtyre shtetasve”,tregon Behrami.

Mekanizëm për përmirësimin e indikatorit të sigurisë Pasaportat diplomatike, fëmijët nën moshën 6 vjet, hulumtuesit për qëllime të hulumtimeve shkencore, studentët dhe mësimdhënësit me qëllim trajnimi arsimor, përfaqësuesit e organizatave jofitimprurëse nën moshën 25 vjeçare që marrin pjesë në konferenca e ngjarje kulturore, janë të larguar prej taksës për vizë.

“Të hyrat nga këto duhet të shkojnë në llogari të MPJ-së dhe MPB-së bashkërisht për arsyeje se verifikimin e kërkuesve e bënë MPB kurse shërbimet i kryen MPJ. Sigurisht se kjo përbën të hyrë për buxhetin edhe ashtu të kufizuar të Kosovës”, thotë Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Ndërsa Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se vendosja e një regjimi të tillë të vizave është një mekanizëm përmes së cilit BE-ja kërkon që ta përmirësoj indikatorin e sigurisë dhe të migracionit të paligjshëm të shtetasve të huaj në territorin e Kosovës.

“Natyrisht, duhet pasur parasysh që zbatimi i kushteve të hyrjes në territorin e Kosovës,përmes regjimit të sapovendosur të vizave, duhet pasur kujdes që të aplikohen në përputhje me Ligjin mbi të Huajt dhe të drejtat e njeriut, si në kuptimin e legjislacionit të Kosovës ashtu edhe instrumenteve ndërkombëtare” pohon Korenica.

Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në regjionin e Ballkanit Perëndimor ndaj të cilit Bashkimi Evropian aplikon regjimin e vizave. Në anën tjetër, Kosova është vendi më i varfër dhe me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë.

Përkundër kësaj, kosovarët shpenzojnë më së shumti në Evropë për të aplikuar për viza. Për tri vite, 217.862 kosovarë kanë aplikuar për vizë “Schengen”. Mbi 17% e aplikuesve për viza refuzohen nga shtetet e zonës “Schengen”. Këto të dhëna kanë dalë nga raporti i Institutit GAP.

Sipas këtij instituti, vetëm për këto tri vite, kosovarët kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro, prej të cilave 9 milionë euro janë shpenzuar për pagesë direkte për vizat në ambasada, kurse së paku 5.8 milionë euro janë shpenzime tjera të ndërlidhura me kompletimin e dokumentacionit për vizë, shpenzimet bankare dhe ato të rrugës.

Numri më i madh i aplikimeve për vizë “Schengen” është bërë në ambasadën e Gjermanisë dhe të Zvicrës, përderisa edhe pagesat mbeten të ndryshme dhe nuk respektojnë as limitet e vëna nga vetë legjislacioni i BE-së.