Lajme
Kosova nuk është as afër liberalizimit të vizave
Ende nuk është marrë as Udhërrëfyesin, i cili përcakton kriteret që duhet plotësuar për t’u vendosur në Listën e Bardhë të zonës Schengen

Kosova ka mbetur e izoluar. Rreth dy milionë banorët e saj, pjesa dërmuese nën moshën 30 vjeç, mund të lëvizin pa viza vetëm në pesë shtete të botës.
Përveç Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, pa viza kosovarët kanë mundësi të udhëtojnë edhe deri në Turqi e Haiti. Pjesa tjetër e botës mbetet thjesht një ëndërr.
Derisa në shtetin e ri të Evropës mund të gjesh me mijëra të rinj që kurrë nuk kanë dalë jashtë Ballkanit, duket se liberalizimi i vizave për ta nuk është as afër.
Vendi ende nuk e ka marrë udhërrëfyesin i cili do të tregonte qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushë Kosova, që qytetarët e saj të fitojnë lëvizjen e lirë në zonën Schengen.
Këtë e thonë edhe zyrtarët e lartë të Qeverisë në Prishtinë, por duke mos e bërë vetën përgjegjës për këtë izolim të shtetasve të vet.
“Marrja e udhërrëfyesit nuk varet nga ne”, thotë Vlora Çitaku, ministre e Integrimit në Qeverinë e Kosovës.
Megjithëkëtë, ajo shpjegon për Albinfo.ch se institucionet e shtetit janë duke plotësuar në mënyrë të njëanshme, kriteret për marrjen e këtij dokumenti aq të nevojshëm.
“Në këtë stad, ne jemi shumë përpara në plotësimin e kritereve sesa vendet e rajonit që dikur kanë qenë, e që më vonë fituan liberalizimin”, thotë Çitaku.
Bllokimi nga pesëshja
I tërë ky pështjellim me Kosovën, vjen si rezultat i mosnjohjes së pavarësisë së saj nga pesë shtete të Bashkimit Evropian.
Greqia, Spanja, Sllovakia, Qipro dhe Rumania janë shndërruar në pengesë që Kosova të përfshihet në shumë procese, e në këtë rast, edhe në marrjen e udhërrëfyesit.
Një fakt të tillë e ka pranuar edhe Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme. Ai ka deklaruar se bisedimet për liberalizim të vizave nuk mund të fillojnë shkaku i mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga këto pesë shtete anëtare të BE’së.
Sipas tij, ky hezitim tashmë është i pakuptimtë, së paku për një arsye.
“Pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, nuk ka arsye që këto vende të mos e njohin Kosovën. Rasti ynë është unik dhe i tillë duhet të kuptohet”, është shprehur ministri Hoxhaj.
Në fakt, premtimet se Kosova do të marrë udhërrëfyesin, nuk kanë munguar. Por deri më tash asgjë nuk ka ndryshuar. Një premtim të tillë të bërë nga zyrtarët e lartë në Bruksel, e rikujton edhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku.
Në tetor të vitit të kaluar, Stefan Fule, Komisionari Evropian për Zgjerim, kishte thënë se brenda atij muaji, Kosova do të merrte këtë dokument aq shumë të nevojshëm për kosovarët.
“Ai nuk e ka mbajtur premtimin. Por ne edhe pse nuk e kemi këtë dokument, i kemi përmbushur të gjitha kriteret teknike për marrjen e udhërrëfyesit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej këtë”, sqaron Çitaku për Albinfo.ch, duke numëruar një pjesë të këtyre kritereve, që sipas saj, vendi tashmë i ka plotësuar.
Në këtë rast, ajo numëron edhe nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale për riatdhesim që Kosova i ka nënshkruar me vendet e zonës Schengen apo lufta kundër trafiqeve ilegale.
Marrëveshjet për riatdhesim
Përgjegjës për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është ministri i Punëve të Brendshme.
Bajram Rexhepi, i cili drejton këtë ministri, tre ditë më parë ka nënshkruar marrëveshje për riatdhesim të kosovarëve edhe me shtetet e Beneluksit – Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun.
Por zyrtarë të kësaj ministrie, tregojnë për Albinfo.ch se Kosova deri më tash ka nënshkruar marrëveshje të tilla me shumë shtete, ndërkohë që me disa të tjera është në bisedime.
“Procesi i nënshkrimit të marrëveshjeve është finalizuar me shtetet si Franca, Gjermania, Zvicra, Austria, Danimarka, Norvegjia, Shqipëria, Maqedonia”, thonë zyrtarët për informim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Përveç tyre, ata tregojnë se për të nënshkruar marrëveshje të tillë, Kosova është në bisedime edhe me vende si Sllovenia, Kroacia, Estonia, Letonia dhe Çekia.
Sidoqoftë, gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar, një nga premtimet e forta të kryeministrit aktual të vendit, Hashim Thaçi, ishte se kosovarët do të fitojnë liberalizimin e vizave brenda 15 muajsh.
Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë të bindur se ky premtim do të mbahet.
Por me një sqarim. Koha sipas tyre, do të llogaritet nga dita kur vendi do të marrë udhërrëfyesin.
“Premtimi i Kryeministrit Thaçi është që nga momenti që e marrim udhërrëfyesin do t’i plotësojmë të gjitha kriteret brenda 15 muajve dhe ju garantoj që ky premtim do të realizohet”, thonë në përgjigjet e tyre me shkrim zyrtarët e kësaj ministrie.
Rrugët drejt një vize
Ky izolim, ka bërë që “evropianët e rinj”, të kërkojnë rrugë alternative, ku tri janë më të shpeshtat.
Mënyra e parë është sigurimi i një vize të rregullt, për marrjen e së cilës duhen një mal me dokumente dhe garanci të forta se aplikuesi do të kthehet në atdhe.
Në të kundërtën, refuzimi i vizës është përgjigja më e shpeshtë që marrin kosovarët nga ambasadat e shteteve të ndryshme në Prishtinë.
Mënyra e dytë është sigurimi i një vize në mënyrë ilegale dhe kjo bëhet në mënyra të ndryshme.
Një rast i tillë ka ndodhur ditë më parë kur katër persona, B D, I R, S V. dhe F K, provuan të futen në test të gjuhës gjermane në ambasadën e këtij vendi në Kosovë, duke përdorur pasaportë të falsifikuar.
Në fakt ata kishin provuar të japin testin në emër të dikujt tjetër, por u arrestuan. Rasti vazhdon edhe më tej të hetohet nga Njësia e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.Ndërkohë mënyra e tretë, është kalimi ilegal i kufijve, ku njerëz të shtyrë shpesh edhe nga nevoja për shërim, e përdorin këtë rrugë për të arritur qëllimin, pavarësisht çmimit të lartë që paguajnë.
Një prej rasteve të shumta është ai i familjes Bajgora nga fshati Ballofc të Podujevës të cilët kanë paguar 14 mijë e 200 euro për të shkuar familjarisht në Suedi, në kërkim të shërimit për të birin e sëmurë, por janë arrestuar në Aeroportin e Stambollit në Turqi.
Sidoqoftë, radhët para ambasadave të huaja në Prishtinë nga ata që për arsye të ndryshme kërkojnë një vizë Schengen, janë të gjata.
Megjithëkëtë, zyrtarët e ambasadave nuk pranojnë të japin të dhëna në lidhje me numrin e aplikuesve apo detaje të tjera, duke i konsideruar si çështje të brendshme.
Ndërkohë, tre deputetë të Parlamentit Europian, Ulriche Lunacek (raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian), Tanja Fajon (raportuese për liberalizim të vizave në Parlamentin Europian) dhe Hannes Sëoboda (kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në PE, Grupi Punues për Ballkanin Perëndimor) i kanë dërguar një letër Sandor Pinter, Ministër i Brendshëm i Hungarisë – vendi që aktualisht kryeson Bashkimin Europian, duke kërkuar që procesi i liberalizimit për Kosovën të fillojë pa vonesa.
Lunacek, Fajon dhe Sëoboda kanë kërkuar, po ashtu, që Komisioni Europian menjëherë të përgatisë kriteret që Kosova duhet t’i përmbushë për të përfituar udhëtimin e lirë në shtete anëtare të BE-së.
E-Diaspora
-
Një thirrje artistike për drejtësi në zemër të Evropës Dhjetëra fustane të varur në tela për tharjen e rrobave, dhuruar nga të mbijetuara të dhunës...
-
Aksident fatal në Francë, humb jetën një kosovar
-
Shfaqet për here të parë në Zvicër dokumentari “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë” në Riffraff, Zürich
-
Edona Preza diplomoi për Shkenca Biologjike dhe studimet Shqiptaro-Amerikan në Illinois
-
Lyon: Kënga e vallja shqipe jehoj nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Ilirët”
Jeta në Austri
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini Humbja e një vendi pune është një situatë e vështirë, veçanërisht kur leja e qëndrimit është...
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€
-
Austria prezanton pensionin e pjesshëm
-
Austria forcon ligjet për armët dhe sigurinë në shkolla pas tragjedisë në Graz