Kosova
Kosova nisi procedurat për blerjen e objekteve të ambasadave në Berlin dhe në Washington
Qeveria nuk e ka bërë të ditur koston financiare për blerjen e këtyre objekteve.
Ka kohë që fillimisht është diskutuar blerja e një objekti në Berlin dhe një tjetri rezidencial në Washington, përcjell albinfo.ch.
Tashmë Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për fillimin e procedurave për blerjen e objektit për nevoja të Ambasadës së Kosovës në Berlin, si dhe blerjen e objektit rezidencial në Washington.
Vlen të theksohet se Qeveria nuk e ka bërë të ditur koston financiare për blerjen e këtyre objekteve.
Kujtojmë që para 10 muajve Qeveria pati ndarë 2.47 milionë euro për blerjen e objektit të Ambasadës së Kosovës në Londër. Kosova ka pak objekte në pronësi të veten, derisa shumat që paguan për qiratë e misioneve janë të mëdha.
Në njoftim thuhet se Qeveria e Kosovës synon ta shtojë numrin e objekteve të blera për llogari të misioneve diplomatike në Evropë dhe në SHBA. Të mërkurën, në një mbledhje elektronike, Qeveria ka miratuar vendimin për fillimin e procedurave për blerjen e objektit për nevoja të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, si dhe blerjen e objektit rezidencial në kryeqytetin e SHBA-së.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën është miratuar vendimi për fillimin e procedurave për blerjen e objektit për nevoja të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, Republika Federale e Gjermanisë, si dhe blerjen e objektit rezidencial në Washington D. C., në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Por ekzekutivi nuk e ka bërë të ditur koston financiare për blerjen e këtyre objekteve.
Qeveria e Kosovës për herë të parë në vitin 2021 ndau 10 milionë euro për blerjen e ambasadave në shtete aleate. Deri para këtij vendimi Kosova ka pasur në pronësi vetëm objektin në Belgjikë.
Qeveria ka refuzuar të tregojë shtetet ku synohet të blihen objekte dhe këtë kryeministri Kurti e kishte arsyetuar me atë se “nëse ne paralajmërojmë se në filan qyteti do të blejmë ambasadë, automatikisht do të ngrihet çmimi dhe do ta blejmë atë më shtrenjtë se që e kemi pritur”.
Kosova paguan shuma të majme çdo vit për qiratë e objekteve ku janë të vendosura misionet diplomatike.
Rekordin e mban Konsullata e Kosovës në New York, për të cilën Ministria paguan 20 mijë e 412 euro për një muaj. Kurse objekti i Ambasadës në Washington i kushton buxhetit mbi 13 mijë euro në muaj.
Pas SHBA-së, qiratë më të shtrenjta janë në Gjermani, ku përveç Ambasadës, Kosova ka hapur edhe pesë Konsullata të Përgjithshme. Për Ambasadën në kryeqytetin gjerman, e cila tani do të blihet nga Qeveria, janë paguar në muaj 13 mijë e 82 euro.
Kosova ka ambasada që janë vendosur në objekte të falura dhe të përbashkëta me Shqipërinë. Objekti i Ambasadës në Tiranë është i falur nga Shqipëria. Zyra të përbashkëta me Misionin e Shqipërisë janë në Kambera, Milano, Munih e Kopenhagë.
Totali i shumës vjetore për qiratë e misioneve diplomatike në vitin 2022 ka qenë 3 milionë e 241 mijë euro.
Aktualisht ekziston një rregullore për procedurat e blerjes dhe marrjes me qira të objektit për misione diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
Kontratat për marrje me qira të objektit për banim nënshkruhen nga shefi i misionit diplomatik ose konsullor dhe nga përfaqësuesi diplomatik ose konsullor (shfrytëzuesi).
“3. Komisioni profesional për blerjen e objekteve për mision diplomatik ose konsullor është kompetent për identifikimin e objekteve të përshtatshme për ambasada, zhvillimin e negociatave dhe përzgjedhjen finale të objektit”, thotë Rregullorja.
Ligji, po ashtu, kërkon që objektet të jenë të përshtatshme për funksionin dhe qëllimin që u shërbejnë.
Sipas ligjit, flamuri dhe stema shtetërore gjithmonë vendosen në ndërtesat e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe në mjetet e transportit.
“7.1 Flamuri shtetëror gjithmonë vendoset: c) në ndërtesat e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe në mjetet e transportit, të cilat i përdor udhëheqësi i përfaqësisë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, në përputhje me dispozitat ndërkombëtare, në të cilin është përfaqësia, përkatësisht në përputhje me rregullat dhe praktikat e organizatës ndërkombëtare, pranë të cilës është përfaqësia; dhe d) gjatë festave zyrtare të Republikës së Kosovës”, thotë ligji.
Por në të kaluarën ka pasur misione që janë vendosur në objekte edhe të papërshtatshme e simbolet nuk kanë qenë të dukshme. E tillë ka qenë edhe Konsullata e Kosovës në Frankfurt, e vendosur në katin e 14-të, bashkëngjitur me një objekt hotelier.
E-Diaspora
-
Würenlos: Dy të rinj shqiptarë aksidentohen duke ikur nga policia Një 28-vjeçar dhe një 33-vjeçar shqiptar u arrestuan në vendngjarje. Njëri prej tyre kishte pësuar plagë... -
Agon Sejdiu – piloti shqiptar që i dha krahë ëndrrës së fëmijërisë -
E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit -
Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë -
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës
Jeta në Austri
-
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti Vjena ul emetimet e CO₂ me 5.8%, duke tejkaluar mesataren e Austrisë. Politikat e forta për... -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa








