Sport

Kosova në Maratonën e Vjenës

Disa garues nga Kosova do të marrin në Maratonën e Vjenës në Austri, garë që do të mbahet më 10 prill

Kosova në këtë eveniment do të përfaqësohet nga klubi “Gërmia 555”, ku bën pjesë edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, shkruan albinfo.ch.

Ajo është shprehur e lumtur që do të marrin pjesë në këtë garë. “Klubi ‘Gërmia 555’, është një klub i njerëzve të cilët e duan sportin, e duan jetën e shëndoshe, duke promovuar aktivitetet sportive në veçanti aktivitetet në natyrë dhe ne shpresojmë se me sensibilizim të vazhdueshëm të arrijmë të bëjmë një normë dhe të kemi përfshirje më të gjerë në të gjitha grupmoshat.

Asnjëri nga pjesëmarrësit nuk është vetëm sportist, gjithë janë nga profesionet e ndryshme, duke më përfshirë edhe mua si kryetare e Komunës së Gjakovës, por që synojmë me këto aktivitete tona të përçojmë një mesazh shtesë këtij elementi”, u shpreh Kusari-Lila, në konferencën për media. Ajo ka konfirmuar se do të marrë pjesë edhe në Gjysmëmaratonën “Prishtina 2016” që do të mbahet më 15 maj në kryeqytetin e Kosovës.