Lajme

“Kosova mund t`i bëjë konkurrencë Indisë”

Vëllezërit Beqiri nga Londra besojnë shumë se Kosova ka potencialin më të madh për “outsourcing” në gjithë Evropën

Rasim Beqiri së bashku me tre vëllezërit e tij që jetojnë në Londër tash e dy vjet janë prezent me katër biznese në Kosovë.  Rasimi pohon se si çdo mërgimtar, edhe ata gjithnjë kanë menduar se si ta ndihmojnë vendin e tyre. Për idenë e të investuarit diçka në Kosovë Rasimi thekson se kanë menduar më shumë pas përfundimit të luftës. 

“Vendi yt gjithnjë të tërheqë kur je në mërgim, kjo ka vlejtur edhe për ne. Pas luftës kemi nisur të shohim mundësinë se çka kishim mundur të kemi sukses në Kosovë. Pasi që vëllai im ka njohuri më shumë me IT, ne kemi nisur bisedimet më 2008 me disa arkitektë dhe inxhinierë softuerikë këtu në Prishtinë dhe pas negociatave disa muajshe erdhëm në përfundim që të krijojmë një kompani që si qëllim ka zhvillimin në fushën e programimit, por gjithnjë duke pasur parasysh që njerëzve në Kosovë t’u krijohet një shërbim më i mirë.

Ndërsa tash e dy vjet kemi formuar kompaninë “Apdecc”  dhe në fillim kemi pasur sfida që vazhdojnë edhe tash, por megjithatë jemi të kënaqur. Apdecc me fjalë tjera ka synimin e saj që përmes këtyre inxhinierëve softuerikë të ofrojë zgjidhje, ta ndihmojë shoqërinë dhe biznesin anekënd botës, pra jo vetëm në Kosovë”, thotë Rasimi.

© albinfo.ch

Po ashtu ai thotë se bizneset e tjera janë: prodhimi i dritareve të aluminit në Podujevë, një disko klub në Ferizaj si dhe një butik në Prishtinë.  Ai thotë se ata janë munduar të zgjerohen në ato fusha ku njerëzit do të mund të përfitojnë dhe ku ata mund të japin shërbime më cilësore.  Tregon se në to ata kanë të punësuar më shumë se 100 punëtorë, por numri ka qenë edhe më i madh në fillim, derisa për arsye të krizës ata janë detyruar ta ulin pak numrin e punëtorëve.

Ai shpreson që ky numër i punëtorëve, e sidomos në kompaninë Apdecc, të rritet pasi që ata mendojnë që aktivitetin e vet ta shtrijnë edhe jashtë vendit. “ Mendojmë të kemi bashkëpunim me kompani jashtë Kosovës.

Qëllimi ynë ka qenë që kjo kompani të bëhet si qendër në Evropë ose në rajon, ku shumë njerëz do të përfitonin nga mësimet për këtë fushë që do t’i merrnin këtu apo më mirë të themi, të bëhemi Qendër e shpërndarjes së dijës në fushën softuerike.

Për këtë deri tash kemi punuar me disa kompani nga Norvegjia, po ashtu edhe nga Franca, ndërsa jemi në negociata më shume kompani nga Evropa e Amerika. Vlen të theksohet se jemi afër marrëveshjes me 15 kompani nga Anglia”, thekson Rasimi.

Ai shton se si kompani ka shumë potencial për të bërë Outsorcing dhe thotë se një gjë të tillë e kanë kompanitë në Kosovë.  “Ky është synimi ynë që të marrim punë nga kompanitë jashtë Kosovës për Outsorsing, para se kompanitë nga Evropa të kontraktojnë kompani në Indi. Besoj shumë që Kosova ka potencialin më të madh për këtë gjë në gjithë Evropën”, shprehet ai.

© albinfo.ch

Burokracia, pengesë për të bërë  biznes në Kosovë

Klima e biznesit në Kosovë nuk është shumë e favorshme, e sidomos për investitorët e rinj, për shkak të politikave jo të mira për ta, e sidomos për shkak të burokracisë që haset në marrjen e dokumentacionit, deklaron Rasimi, i cili shton: “Por kjo gjë ka nisur të përmirësohet tash së fundi. Mua më është dashur që për një dokument të shëtitëm nga zyra në zyrë disa ditë, ndërsa kjo punë në Londër do të mund të bëhej për 5 minuta”.

Thekson se ata nuk kanë pasur shumë nevojë të kërkojnë ndihmë nga shteti, por edhe atëherë kur iu është dashur ndihmë e vogël, qeveria nuk është shprehur e gatshme të ndihmojë. Ndërsa i pyetur se çka u preferon të interesuarve për të investuar në Kosovë, ai thotë: Çdo investitori që dëshiron të vijë në Kosovë i kisha rekomanduar që së pari të humbin disa muaj duke analizuar tregun në Kosovë.

Unë kam pritur shumë kushte më të mira këtu, por kur kam ardhur vetë e kamë parë se nuk është shumë lehtë të bëhet biznes në këtë vend. Kosova është një vend ku ka shumë  mungesë të informacionit, e po ashtu ka mungesë të infrastrukturës. Por kohët e fundit unë kam parë se gjërat kanë nisur të ndryshojnë, dhe shpresoj të ecet në drejtimin e duhur”.

Megjithëse ka hasur në këto vështirësi, Rasimi deklaron se në Kosovë  ia vlen të investohet, për arsye se njeriu e gjen vetën shumë lehtë, por ai tërheq vërejtjen se duhet të kihet kujdes se në çka po investon.

Ai poashtu kërkon një përkrahje pak më të madhe të ekzekutivit kosovar,  e sidomos për investitorët që vijnë nga mërgata. “Unë kam menduar se do të bëj shumë më shumë këtu para se të vija. Nuk jam pishman që kamë ardhur në Kosovë, sepse kam investuar në vendin tim, por nuk jam i kënaqur, nga se nga 100 për qind sa kam pritur, kam marrë 30 për qind. Shpresoj që gjërat të përmirësohen dhe të mos mbesin këtu ku janë”, përfundon rrëfimin e tij njëri nga të paktit investitor të huaj në Kosovë.

© albinfo.ch