Lajme

Kosova luan baras me Haitin

Në ndeshjen që u konsiderua historike, Kosova dhe Haiti luajtën baras, pa gola (0:0) në një atmosferë impozante që nuk ishte parë në Kosovë që nga vitet e ’80

Kombëtarja e Kosovës në Futboll ishte e pafat për të shënuar në mënyrën më të mirë historinë në ndeshjen miqësore kundër Haitit. Dy kombëtaret luajtën baras, pa gola (0:0) në një atmosferë impozante që nuk ishte parë në Kosovë që nga koha e ish-Jugosllavisë, kur në Ligën e parë Federative luanë Prishtina me gjeneratën e Fadil Vokrit.

 

Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë ishte tepër i vogël për t’i zënë të gjitha ata qytetarë që kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, për të parë ndeshjen që u konsiderua historike për Kosovën.

 

Kombëtarja kosovare ishte shumë më e mirë se sa ajo e Haitit duke realizuar dhjetëra raste për të shënuar gol. Edhe fusha e lojës, ndërkaq ishte shumë e rënduar dhe e mbushur me lloç, pasi që gjatë gjithë natës, por edhe sot deri në mesditë, ka pasur reshje shiu.

 

Rasti më i mirë i ndeshjes ishte ai i minutës 37, kur Kosova humb rastin ideal për të shënuar gol. Përballë portës së Haitit, ishte tre sulmues kosovarë Azemi që gjuajti për Hasanin, e ky i fundit asistoi për Albert Bunjakun, i cili në portën e zbrazët nga dy metra, nuk arriti ta konkretizojë në gol.

 

Ajo që ishte më se e rëndësishme, është fakti se loja ka qenë korrekte, pas ndërhyrje të ashra, ndërsa gjatë gjithë lojës ishte vetëm një karton i verdh, edhe atë nga ana e mysafirëve. Kurse organizimi dhe siguria në stadium ka qenë maksimale, duke dëshmuar se Kosova ka traditë në lojëra vendimtare.

 

Në stadiumin “Adem Jashari” ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e institucioneve të vendit, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Kulturës dhe Sportit, Memli Krasniqi, të cilët së bashku me kryetarin e Federatës kosovare të Futbollit, Fadil Vokrrin i përshëndetën një nga një futbollistët e të dyja skuadrave.

 

Kombëtarja e Kosovës startoi me njëmbëdhjetëshin; portier Samir Ujkani, Fanol Prededaj, Krijstian Nushi, Lorent Sadiku, Avni Pepa, Anel Rashkaj (Kapiten), Ardian Gashi, Enis Alushi, Shpëtim Hasani, Albert Bunjaku dhe Ilir Ademi. Ndërsa gjatë lojës pesë prej tyre janë zëvendësuar.

 

Në këtë ndeshje është dalluar kryesisht lojtari që luan në Superligën e Zvicrës në  St’Galleni, Krisian Nushi. Ai gjatë gjithë lojës ka shkëlqyer herë në mbrojtje, mesfushë, por në raste të caktuar edhe në sulm. Ai disa herë ka asistuar në drejtim të sulmuesve, por këta të fundit nuk u treguan efikas.

 

Pas ndeshjes, dy selektorët, Albert Bunjaku i Kosovës dhe Marc Colat i Haitit u shprehen të kënaqur me zhvillimin e ndeshjes.

 

“Duke e pasur parasysh përgatitjen e shpejtë, mendoj që ishte një lojë e mirë dhe të gjithë jemi fitues. Jam i kënaqur me atë që e kam parë sot dhe tani objektivi ynë është botërori 2018. Unë mendoj që e dëshmuam se e meritojmë të jemi në atë botëror”, deklaroi Bunjaku.

 

“Loja ishte e mirë. Kosova na ka bërë presion, por ne ia dolëm ta mbajmë portën të paprekur”, tha ndërkaq selektori i Haitit, Marc Colat pas përfundim të ndeshjes.

 

Ndryshe Kombëtarja e Haitit ndeshjen e saj të parë ndërkombëtare e ka zhvilluar në vitin 1925. Ndërsa njëra nga ndeshjet më të bukura të kësaj kombëtare është ajo kundër Italisë, që mbeti baras 2:2. Ndërsa në dhjetë ndeshjet që ka zhvilluar vitin e kaluar, vetëm një e ka fituar.

 

Haiti është një vend me 28 mijë kilometra katror dhe rreth 10 milion banorë ndërsa kryeqyteti i saj është Port-au-Prince. Për tu rikthyer te futbollit stadiumi kombëtarë i Haitit është “Stade Sulvio Cator” në Port-au-Prince me një kapacitet prej 30 mijë ulëseve.

 

Ndeshjen Kosova-Haiti e kanë përcjellë më shumë se 100 mediume nga mbarë bota, të cilat janë akredituar nga FFK. Kjo ndeshje është konsideruar historike, sepse për herë të parë zyrtarisht kombëtarja e Kosovës del në fushën e gjelbër, në një ndeshje që mbikëqyret nga FIFA.