Lajme
Kosova kërkon përfaqësues të posaçëm të BE-së për të zhdukurit
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri tha se Kosova ka kërkuar shumë herë, nga BE-ja që të caktojë një emisar special, i cili do të merrej vetëm me çështjen e të pagjeturve
Që nga përfundimi i luftës, 17 vjet më parë, barra e të pagjeturve vazhdon ta rëndojë shoqërinë kosovare. Edhe 1650 persona ende figurojnë të zhdukur, ndërsa autoritetet serbe dhe ato ndërkombëtare kanë bërë shumë pak që kjo plagë luftës të mbyllet. Për këtë çështje autoritetet kosovare kanë kërkuar nga BE, një emisar të posaçëm për të pagjeturit.
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i tha për REL se “përfaqësuesit e Kosovës kanë kërkuar shumë herë, nga BE-ja që të caktojë një emisar special, i cili do të merrej vetëm me çështjen e të pagjeturve”.
Më shumë se 17 vjet nga përfundimi i luftës, Milaim Makolli nga fshati Kishnicë, afro 15 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, vazhdon ende të kërkojë dy prindërit e tij, të cilët konsiderohen të zhdukur. Makolli tha se fati i personave mund të ketë rezultate në rast se kjo çështje do të bëhej temë e bisedave të drejtpërdrejta me Beogradin zyrtar.
“Kjo çështje është dashur të diskutohet në bisedime shumë herët. Kjo [tregon] se nuk janë të interesuar për gjetjen e personave të zhdukur. Mendoj se për interesa personale nuk po diskutohet kjo çështje, sepse është dashur shumë më herët të flitet për të. I kemi dhimbjet e mëdha”, tha Makolli.
Çështja e të pagjeturve është thënë shumë herë se do të mund të ngrihet në instancat më të larta ndërkombëtare, dhe autoritetet e vendit kanë thënë se do t`i kërkojnë Bashkimit Evropian që të bëjë më shumë presion mbi Beogradin për ta zbardhur fatin e të pagjeturve.
Madje, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se kanë kërkuar nga BE-ja që çështja e të pagjeturve të bëhet pjesë e bisedave me Beogradin zyrtar për të gjetur zgjidhjen për të gjithë personave të zhdukur.
Ministrja Tahiri shpreson në futjen e kësaj çështjeje në kuadër të pjesës së dialogut, në të cilin “do të hapet problemi i reparacionit të luftës”.
“Vazhdimisht, edhe kryeministri i mëhershëm, Thaçi, dhe kryeministri i tanishëm, Mustafa, në takimet me përfaqësuesen e BE-së në atë kohë, Ashton dhe tani Mogherini, e shtrojnë kërkesën që kjo çështje të jetë në agjendën e bisedimeve. Ma merr mendja që do të fillojë edhe faza e tretë e dialogut ku ne në kuadër të temave të reparacionit të luftës, tema kryesore do të jetë çështja e të pagjeturve”, theksoi Tahiri.
Për familjarët e të pagjeturve është e “pakuptueshme zvarritja e procesit të zbardhjes së fatit të të zhdukurve”, ndërkohë që Haki Kasumi, nënkryetar i Këshillit Familjar për Persona të Zhdukur në Kosovë, kjo çështje po neglizhohet edhe nga autoritetet e vendit.
“Ne konsiderojmë se është çështje e interesit politik, për të mos thënë ekskluzivisht e palës serbe, e cila është fajtore kryesore dhe e cila është adresë kryesore, që do të jepte informacion. Unë, dhe familjaret e kësaj kategorie konsiderojmë se pjesërisht fajtor është edhe pala e Kosovës. Po të ishte njëra palë këmbëngulëse dhe po të përkrahej kërkesa jonë e drejtë, sigurisht se kjo çështje do të ngrihej në nivel të lartë”, tha Kasumi.
Ndryshe, më shumë se 1650 persona vazhdojnë të konsiderohen të pagjetur, dhe një numër bisedash të përfaqësuesve të Kosovës me përfaqësues të Beogradit, nën ndërmjetësim të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, janë zhvilluar, por pa rezultate të mëdha, thonë aktivistë për të drejtat e njeriut.
E-Diaspora
-
Gastroenterologu Dr. Mentor Bilali – një nga mjekët më të kërkuar nga shqiptarët e Zvicrës Për shqiptarët, Dr. Bilali me ordinancën e tij MagenDarm Zentrum Oberaargau ka edhe një peshë të... -
Nxënësit shqiptarë në Parma festojnë Pavarësinë e Shqipërisë -
Paris
Paris: Inaugurohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve -
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora
Jeta në Austri
-
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 Anëtarët e Komisionit të Përbashkët të Parlamentit të Austrisë kanë miratuar në mënyrë unanime vazhdimin e... -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje










