Zhvillim

Kosova ka rreth 32 mijë biznese aktive

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri total i të punësuarve në sektorin ekonomik sillet rreth 145 mijë punëtorë

Brenda shtetit të Kosovës ekzistojnë rreth 32 mijë biznese aktive, që merren me veprimtari ekonomike, ndërsa numri më i madh i ndërmarrjeve i takon sektorit të tregtisë me 16142 ndërmarrje, ose 50.6 për qind e të gjitha bizneseve. Këto shifra i ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në raportin e fundit.

Sipas ASK-së, në vitin e kaluar, numri më i madh i ndërmarrjeve u takon tregtisë, pasuar nga industria përpunuese me 4052 ndërmarrje ose 12.7 për qind. Shërbimet biznesore dhe shërbimeve të tjera kanë 4023 kompani ose 12.6 për qind, pasuar nga; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim; ndërtimtarisë; transportit, etj.

Ndërsa, sa i përket punësimit për sektorët ekonomikë, që ishin pjesë e hulumtimit, del se numri total i të punësuarve arrin shifrën prej 145 736, prej te cilëve: sektori i tregtisë përbën rreth 54 295 të punësuar ose 37.3 për qind; industria përpunuese 22 257 ose 15.3 për qind; shërbimet biznesore 15 954 ose 10.9 për qind; ndërtimtaria me 13 192, etj.

“Karakteristikë tjetër, që vlen të përmendet, është edhe qarkullimi i realizuar nga ndërmarrjet, e ku dominon tregtia me një pjesëmarrje prej 59 për qind; industria përpunuese 12.6 për qind; ndërtimtaria me 8.4 për qind’ kurse sektorët e tjerë të veprimtarive ekonomike rezultojnë me një përqindje më të vogël të qarkullimit”, thuhet në raportin e ASK-së.

Treguesi i pagës mesatare mujore, sipas këtij raporti në vitit 2014, sillej rreth 352 Euro, në aktivitetet e përfshira në anketë, e që është një tregues i përafërt me realitetin.