Lajme

Kosova ka nevojë sot të bashkohet në paqe

Ka kaluar koha e luftërave, Kosova ka nevojë sot të bashkohet në paqe

Demokracia kosovare tani për tani gjendet në një situatë të palakmueshme dhe populli nuk është i kënaqur me udhëheqjen e njerëzve në pushtet dhe ka të drejtë të thotë se Kosova udhëhiqet nga njerëz që nuk e kanë marrë bekimin e popullit, duke ardhur nëpërmjet votave të vjedhura, ashtu si pjesa tjetër që ka ardhur në pushtet nëpërmjet votave të rezervuara. Prandaj, duhet ta nxjerrim një analogji: deri kur Kosova duhet të përballet me problemet e jetës së vet, duke ditur se koha e luftës kaloi, dhe ishte i njohur faktori i saj, por tani u bënë 14 vjet pas luftës dhe akoma po qëndrojmë nën ankthet e një imagjinate të tillë. Mund të kuptohet shumë lehtë se një gjendje e tillë e tendosur e popullit e detyron jetën shpirtërore të tyre të bie në shkallën më primitive, të cilët në kërkesë të plotësimit të kushteve të jetës normale e dërgon atë në situata të palakmueshme, në ëndrra dhe iluzione.

U bënë disa vjet pas çlirimit nga okupatori serb dhe populli lufton ende për ekzistencë. Nuk mund të arsyetohen të gjitha ato pësime të qeverisë kosovare, pikërisht nga aparatura qeverisëse, e cila akuzohet brenda për brenda se është e korruptuar, me ç’rast populli është i vetëdijshëm për të gjitha aktet serioze negative dhe anarkinë që ushtron ky pushtet qeverisës. Pikërisht kjo gjendje e palakmueshme dëshmon pozitën fyese për popullin shqiptar dhe rininë kosovare në kohën e lirisë dhe demokracisë së ëndërruar me shekuj. Madje, ky qëndrim nxit revoltën popullore dhe posaçërisht revoltën e të rinjve, të cilët sot në këto kushte dhe rrethana ngelet pa perspektivë. Kjo qeverisje bëhet sikur po vepron në ëndërr, të cilat janë dyfarëshe: ëndrrat në gjumë dhe ëndrrat zgjuar, të cilat kanë dallim prej njëra-tjetrës, e që kjo e fundit nuk bën të sajohet, sepse është artificiale dhe e pengon perspektivën e njeriut. Populli i Kosovës pas pavarësisë së vendit të vet nuk e ka merituar këtë rrëmujë, duke u ballafaquar për çdo ditë me probleme të ndryshme.

Koalicionet në pushtet

Koalicioni mes PDK-së, AKR-së dhe disa partive të vogla të minoriteteve që udhëheq sot Kosovën nuk ka mundur të ndërpresë hovin e korrupsionit, por vetëm se ky element i rrezikshëm shoqëror në Kosovë është shtuar edhe më shumë në të gjitha meset e institucioneve të vendit, duke u thelluar vendi në një krizë globale. Shumë pak duken përpjekjet e tyre dhe angazhimet serioze në fushat e zhvillimeve ekonomike dhe më shumë ka vërshime propagandash pa rezultate, duke u dalluar vendi më i varfër në rajon. Në këtë situatë krerët e qeverisë shpeshherë i nënshtrohen një metode skandaloze, me parullat: „Askush mbi ligjin“ dhe „Zero tolerancë për korrupsionin“, ndërsa në realitet, jorespektimi i ligjit dhe korrupsioni janë elementet më të dukshme që e rrezikojnë shtetin e ri të Kosovës. Kjo platformë e qeverisjes po e rëndon drejtpërsëdrejti kurrizin e popullit, sepse dikush po pasurohet me djersën e popullit dhe populli nuk mund ta ndryshojë gjendjen e vet pa ndihmën e shtetit, duke mbetur skllav i një qeverisje të papërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme të vendit.

Këto ditë alarmohet me të madhe në të gjitha mediumet kosovare se PDK-ja është në kërkim të një koalicioni të ri dhe, sipas disa supozimeve, më e kërkuara është AAK-ja e R. Haradinajt, e cila qëndron në opozitë. Ndërsa, në anën tjetër, lideri i Vetëvendosjes paraqitet haptas, duke kundërshtuar një koalicion të tillë dhe të partive të tjera, për faktin se bashkimi i këtyre partive me PDK-në do të thellojë krizën qeveritare edhe më shumë, duke ditur se PDK-ja, e cila është shumë kohë në pushtet, as popullit dhe shtetit të Kosovës deri sot nuk i ka sjellë ndonjë të mirë.

Mospajtimi i partive opozitare

Sipas parimeve demokratike, partitë opozitare duhet ta luajnë rolin e vet opozitar, të cilat në pajtueshmëri më njëra-tjetrën mund t’i bëjnë konkurrencë pozitës, duke marrë edhe vendime shumë të rëndësishme në Parlament. Mirëpo, në Kosovë ndodh e kundërta me tri partitë opozitare shqiptare, mes LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së, të cilat kanë pole të kundërta në shumë aspekte dhe në marrjen e vendimeve të tyre si opozitë, duke mos pasur marrëveshje të përbashkëta. Në mesin e këtyre partive ka edhe mosmarrëveshje ndërpartiake, sikur në rastin e LDK-së, tashmë duket një parti e thyer, e cila nuk e ka aspak fillin e ecjes së një reflektimi rugovian. Kurse Vetëvendosja, si parti e dytë opozitare, ende nuk e ka gjetur vendin e vet dhe si Vetëvendosje nuk mund të vetëvendosë e vetme idetë e saja dhe t’i bashkojë me ndonjë parti tjetër. Dhe AAK-ja, me ardhjen e R. Haradinajt, ka mundësi ta marrë veten në dorë pas një pauze të gjatë, edhe pse disa herë ka pasur mundësi ta tregojë vitalitetin e saj kur ishte në opozitë.

Integrimi i veriut mbetët i njëjtë

Serbët e veriut të Mitrovicës prej pasluftës në Kosovë kanë mbetur si delet e zeza që dallohen prej së largu, duke mos shprehur vullnetin e tyre të integrohen në institucionet e Kosovës, duke mbetur peng të politikave të Beogradit. Një hamendje e tillë, e cila varet nga një sindromë e vjetër e politikës serbe, i ka gjetur punë vetes, duke u marrë më shumë me të kaluarën e saj sesa me të ardhmen që po i kushton shumë shtrenjtë popullatës së të dyja palëve. Sa i përket shoqërisë kosovare për integrimin e kësaj pjese të Kosovës nuk mund të shpikim diçka të re, sepse shumë pak është bërë në këtë drejtim, megjithatë ingjerencat dhe kapacitetet e qeverisë së Kosovës kanë qenë tepër të zbehta. Edhe pas disa negociatave mes qeverisë së Beogradit dhe Prishtinës për të përcaktuar të ardhmen e këtyre dy popujve, pala serbe nuk e ka zbatuar aspak marrëveshjen e saj, duke u paraqitur para bashkësisë ndërkombëtare si viktimë, në të kundërtën, është po e njëjta fund e krye me qeverinë saj, sikur që ishte në kohën e Millosheviqit, duke i keqtrajtuar qytetarët shqiptarë të Kosovës sa herë që kalojnë nëpër Serbi. Fati i këtyre dy popujve mbetët te bashkësia ndërkombëtare dhe ajo evropiane, të cilat me rolet e tyre shumë pak kanë realizuar suksese si institucione ndërkombëtare, për çka janë përcaktuar në mandatin e tyre në Kosovë, për përmirësimin e marrëdhënieve, qetësinë dhe stabilitetin e këtyre dy popujve. Populli shqiptar i Kosovës është ngopur me luftëra nga armiq të ndryshëm, i cili asnjëherë nuk ishte iniciator i përçarjeve dhe ndarjeve, duke luftuar gjithmonë për të drejta e veta dhe gjithmonë ishte përkrah popujve të shtypur. Përveç tjerash, kjo qeverisje ka dështuar edhe në shumë segmente të tjera, sikur që është edhe problemi i energjetikës, i cili po i kushton shumë popullatës dhe ekonomisë së vendit, duke i larguar edhe shumë investitorë të jashtëm e të brendshëm. Prandaj, të gjitha këto dështime ishin rezultatet e politikave të qeverisjes aktuale.

PDK-AAK, çështje e mundshme e një koalicioni

Një koalicion i mundshëm mes PDK-së dhe AAK-së për qytetarët e Kosovës është sa i diskutueshëm, me ç’rast nuk ka të bëjë me një koalicion që i përbush nevojat dhe kërkesat e qytetarëve kosovarë, por më shumë ka të bëjë me kërkesat e njërës apo tjetrës parti, për t‘i përmbushur ambiciet e tyre politike, edhe për një mandat të ardhshëm qeverisës.

PDK-ja dhe AAK-ja janë parti të cilat burimin e kanë nga krahu i luftës, prandaj luftërat kanë kaluar në Kosovë dhe këtij vendi sot i nevojiten forcat dhe politikat e saj për ndryshimet e standardit të jetës qytetare dhe zhvillimeve të tjera në aspektin ekonomik, politik dhe social. Kjo filozofi politike, gjegjësisht e këtyre dy partive që dëshirojnë të dominojnë në pushtet, nuk paraqet ndonjë risi që do ta ngrisin rolin e tyre në prodhimin e vlerave dhe zhvillimet e vendit, sepse deri dje ishin po të njëjtat në udhëheqje të vendit, të cilat shumë pak e dëshmuan rolin e tyre në favor të përmirësimit të jetës qytetare, ishin po ata të cilët asnjëherë nuk i bashkuan idetë e tyre për një udhëheqje të mirëfilltë në Kosovë. Epilogu i kësaj politike mund të analizohet dhe të vlerësohet nga qytetarët e vendit, të cilët kanë mbetur pre e politikave jodemokratike, jocivilizuese dhe jo në favor të qytetarëve kosovarë. Shteti i Kosovës ka nevojë për një model perëndimor, për një model politik dhe ekonomik, për zhdukjen e monopoleve dhe zhvillimin e tregjeve të lira, për zhdukjen e korrupsionit dhe krijimin e vendeve të punës. Kosova sot ka nevojë për një frymë të re demokratike, të marrë frymë lirisht dhe të shijojë lirinë dhe demokracinë e saj të vërtetë dhe qeverisja e shtetit të Kosovës të pushojë nga krahu i elitës dhe i politikave të luftës, sepse në Kosovë mendojmë se luftërat kanë mbaruar.