Lajme

Kosova i shpall luftë krimit ekonomik

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të luftuar krimin ekonomik

Autoritetet kosovare të Drejtësisë, Financave, Inteligjencës dhe Punëve të Brendshme, kanë nënshkruar të premten në Prishtinë një marrëveshje bashkëpunimi që pretendon të luftojë krimit ekonomik në Kosovë. Me këtë marrëveshje është funksionalizuar Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.

Po ashtu siç thuhet në njoftim të përbashkët, kjo marrëveshje është bërë me qëllim të rritjes së efikasitetit në ndjekjen e kryesve të veprave penale, sekuestrimin dhe konfiskimin e dobisë pasurore të fituar me vepër penale.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi u nënshkrua nga krerët e Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bankës Qendrore të Kosovës, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Agjencisë Kosovarë të Inteligjencës.

Njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se luftimi i korrupsionit dhe krimit ekonomik është prioritet i prioriteteve i autoriteteve kosovare.

“Me këtë fushë krimet me përfitime ekonomike janë prioritet i veçantë:, deklaroi ai.

Ministri Kuçi falënderoi përfaqësuesin e Thesarit Amerikan për iniciativën dhe ndihmën që ka dhënë në themelimin e këtij institucioni, ndërsa shprehu gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e Koordinatorit Kombëtarë për Luftimin e Krimeve Ekonomike.

Kryeprokurori i Shtetit Ismet Kabashi, tha se është ndërtuar infrastruktura ligjore dhe institucionet për menaxhimin e aseteve të konfiskuara dhe se tani përmes këtij memorandumi do të fokusohemi kryesisht në koordinimin e aktiviteteve lidhur me konfiskimin e aseteve të fituara me vepër penale.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci, premtoi që institucioni që ai udhëheq do t’i jep prioritet rasteve të krimeve ekonomike dhe do të jetë me efikas në të ardhmen.

Ndryshe, koordinatori Kombëtarë do të monitorojë dhe raportojë për punën e institucioneve lidhur me krimet për përfitime pasurore dhe do të ndikojë në rritjen e efikasitetit të punës në luftimin e këtyre dukurive negative.

 “Ky Koordinatorë do të shërbejë si pikë kontakti jo vetëm për institucionet vendore, por edhe për institucionet ndërkombëtare dhe organizatat e ndryshme që dëshirojnë të zhvillojnë hulumtime apo raportime mbi situatën e krimeve ekonomike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.