Lajme

Kosova i gëzohet ndërkombëtarizmit të hendbollit

Federata e Hendbollit të Kosovës është pranuar me drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit. Ministri Kujtim Shala i gëzohet këtij anëtarësimi

Qeveria e Kosovës i është gëzuar ndërkombëtarizimit të hendbollit, duke e konsideruar lajmin më të mirë të javës, pranimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës me drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit. Kosova me këtë rast bëhet Federata e 200-të e IHF-së.

Ministri për Kulturë Rini dhe Sport, Kujtim Shala, ka thënë se përparimi i sportit të Kosovës është dëshmi e sukseseve të shtetit të Kosovës. Ai ka premtuar përkrahje të vazhdueshme për sportin e Kosovës, për ngritjen e cilësisë dhe afirminin në rrafshin ndërkombëtar.

“MKRS përgëzon drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës, hendbollistët, si dhe gjithë ata që kanë kontribuar për këtë sukses të jashtëzakonshëm të hendbollit të Kosovës”, thuhet në urimin e ministri Shala, i cili tha se përparimi i sportit të Kosovës në planin ndërkombëtar është dëshmi e sukseseve të vendit.

“Ky është edhe një hap i rëndësishëm, që ndihmon dhe përshpejton ndërkombëtarizimin dhe njohjen e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare. MKRS-ja do të mbështesë në vazhdimësi sportin e Kosovës, sidomos në ngritjen cilësore të tij dhe në afirmimin e tij në rrafshin ndërkombëtar”, deklaroi ai.

Republika e Kosovës është njohur nga shumica e federatave të sportit në botë e  Evropë, përshirë edhe në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik. Ndërsa synimi i politikës kosovare, por edhe i sportistëve është pranimi nga FIFA dhe UEFA për futbollistët e Kosovës. FIFA tashmë ka lejuar vetëm lojërat miqësore, por jo edhe kualifikimet.