E-Diaspora

Kosova hap Qendrën e saj Kulturore në Stamboll

Kjo qendër do t’i afrojë shqiptarët e Turqisë me vendlindjen e të afërmve të tyre dhe do të lidh kulturat mes dy popujve, thanë pjesëmarrës në këtë përurim

Është hapur sot në Stamboll Qendra e parë Kulturore në radhën e atyre që Kosova planifikon t`i hapë në vende të ndryshme të botës. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore nga Turqia dhe Kosova. Ishte konstatim i përbashkët se hapja e kësaj qendre është një përparim diplomatik në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, tha ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli.

Qindra pjesëtarë të diasporës shqiptare nga qytete të ndryshme të Turqisë morën pjesë në hapjen e qendrës së parë kulturore të Kosovës në Stamboll, thuhet në një komunikatë për medie të shpërndarë nga Ministria e Diasporës. Nëpërmjet kësaj qendre shqiptarët që jetojnë në Turqi do të lidhen drejtpërdrejt me Kosovën dhe do të shkëmbehen përvojat e shtetit turk për kultivimin e marrëdhënieve kulturore me Turqinë. Hapja e kësaj qendre kulturore dëshmon angazhimin e institucioneve shtetërore të Kosovës për të qenë më afër mërgimtarëve, tha ministri Makolli.

“Është zgjedhur pikërisht Turqia për të hapur qendrën e parë kulturore për shkak të një numri të madh të qytetarëve me origjinë nga trojet tona. Miqësia e popujve tanë i ka rrënjët në lidhjet e vjetra kulturore, historike”, është shprehur Ibrahim Makolli.

Kryetari i Komunës se Bajram Pashës, Antile Ajtner, tha se Qendrat e tilla do të kontribuojnë në hapjen e perspektivave të reja sidomos për të rinjtë. Në hapje të kësaj qendre gjithashtu u tha se gjithandej botës jetojnë miliona njerëz me origjinë nga Kosova dhe viset e tjera në Ballkan, andaj Kosova e ndjen obligim institucional përkujdesjen ndaj tyre.

Kjo qendër do t’i afrojë shqiptarët e Turqisë me vendlindjen e të afërmve të tyre dhe do të lidh kulturat mes dy popujve, thanë pjesëmarrës në këtë përurim.

Pritet që përfaqësi të kësaj qendre të hapen edhe në Bursa, Izmir dhe Ankara e më pas qendra të kulturës do të hapen edhe në qytetet kryesore të Evropës dhe botës, thuhet në fund të komunikatës së Zyrës së Komunikimit me Publikun, në MeD-së