Lajme
Kosova fton donatorët të investojnë në energjetikë
Krahas investimeve në energjetikë, ndërkombëtarët kërkuan nga institucionet e Kosovës që të përkujdesën për ambientin. U kërkua mbyllja sa më e shpejt e TC “Kosova A”
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës iu kanë bërë thirrje afaristëve ndërkombëtarë që të vijnë në Kosovë dhe të investojnë në sektorin energjisë. Ata thanë se klima investive është shumë e përshtatshme, ndërsa paratë e tyre do të investohen me transparencën më të madhe.
Ky apel i lidershipit kosovar është adresuar të martën në Konferencën e Donatorëve të cilën e organizoi qeveria e Kosovës. Ideja e kësaj konference ishte diskutimi i planeve afatgjate për energji të qëndrueshme të cilat përfshijnë rritjen e investimeve në efiçiencën e energjisë dhe energjinë e ripërtëritshme.
Në Konferencë kanë marrë pjesë kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Zhvillimit – Ekonomik, Besim Beqaj, përfaqësues nga Komisioni Evropian, Grupi i Bankës Botërore, Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane për Investime, USAID, KfW, GIZ, JICA dhe përfaqësues të biznesit.
Rritja e eficiencës së energjisë dhe rritja e kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme, siç u tha në konferencë, janë dy elemente esenciale të strategjisë së Qeverisë për të reformuar sektorin energjetik dhe për t’iu afruar më shumë standardeve të Bashkimit Evropian.
Konferenca është vlerësuar si një hap pozitiv përpara në afrimin e partnerëve zhvillimor të Kosovës në përkrahje të projekteve të tilla dhe për të diskutuar dekomisionimin e Termocentralit “Kosova A”
E duan të mbyllur “TC Kosovën A”
Në hapje të konferencës, kryeministri Thaçi ka tha se Qeveria e Kosovës ka përcaktuar sektorin e energjisë si njërin nga sektorët e rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit.
“Duke pasur parasysh që zhvillimi i aktiviteteve energjetike ka ndikim mjaft të madh në ambient, në vitet e fundit janë ndërmarrë masa në përmirësimin e gjendjes mjedisore në sektorin e energjisë. Në kuadër të këtij aktiviteti janë ndërruar dhe po vazhdon ndërrimi i filtrave elektrostatikë në tri njësitë e Termocentralit Kosova A”, tha Thaçi .
Qeveria e Kosovës, sipas tij, është zotuar dhe mbetet e përkushtuar që të punojë në drejtim të dekomisionimit të Termocentralit Kosova A, sapo kapacitetet e reja gjeneruese të jenë funksionale.“Për këtë arsye janë ngritur tre grupe punuese të cilat do të përkrahen në përgatitjen për Dekomisionimin e TC Kosova A”, tha kryeministri Thaçi.
Në emër të Komisionit Evropian, Joost Korte, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për Zgjerim u angazhua për mbylljen sa më të shpejt të Kosovës A e cila është ndotësi më i madh i ambientit në rajon.
BE jep 60 milionë € për mbylljen e A-së
“Ne duhet të shohim hapa drejt mbylljes së Kosovës A dhe shpresojmë se kjo konferencë do të sigurojë përkushtim të fortë për këtë”, tha Korte, sipas të cilit, BE është i gatshëm që të financojmë tërë koston e mbylljes dhe dekomisionimit të Kosovës A, me rreth 60 milionë euro.
“Jemi duke u përpjekur që të identifikojmë elemente të procesit të dekomisionimit që do të mund t’i financonim edhe para mbylljes së termocentralit. Fonde shtesë do të vihen në dispozicion edhe për reduktimin e ndikimit të sektorit të energjisë në mjedis”, deklaroi ai.
Duke folur në emër të Bankës Botërore, Ellen Goldstein, Drejtoreshë për Kosovë dhe Koordinatore Rajonale për Ballkanin Perëndimor, ka thënë: “Reformat në sektorin energjetik janë një kusht obligues për investime, rritje ekonomike, vende pune, dhe përparim për Kosovën”.
“Ne jemi këtu sot për të sjellë përkrahjen tonë të plotë për agjendën e reformave në energji. Bashkë mund të sjellim energji të qasshme, të besueshme dhe të pastër për Kosovën nëpërmjet një miksi të energjisë së ripërtëritshme, efiçiencës së energjisë, dhe tenologjisë moderne me thëngjill”, deklaroi ai.
BB zoton 55 milionë € për energjinë e ripërtëritshme
Banka Botërore, siç u tha ë konferencë, ka një zotim të vazhdueshëm dhe të planifikuar prej 55 milionë dollarëve amerikanë për energjinë e ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë dhe menaxhimin mjedisor të lidhur me sektorin energjetik.
“Kjo përfshin 32.5 milionë dollarëve amerikanë për Projektin për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme për të financuar investimet në efiçiencën e energjisë dhe në energjinë e ripërtëritshme në ndërtesat e sektorit publik”, u tha në konferencë.
Javën e kaluar Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore ka miratuar një financim shtesë prej 4.2 milionë dollarëve amerikanë për Projektin e Pastrimit dhe Rifitimit të Tokës në Sektorin Energjetik të Kosovës.
Ndërkaq, në emër të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Daniel Rosenblum, Koordinator i Asistencës për Evropë dhe Euroazi, ka thënë se “mungesa e sigurisë energjetike në Kosovë mbetet një barrierë e konsiderueshme për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen afatgjate ekonomike të Kosovës”.
“Qeveria e SHBA-ve ka dhënë më shumë se 50 milionë dollarë amerikanë në përkrahje të sektorit energjetik të Kosovës dhe se planifikon të vazhdojë punën e saj, krah përkrah me Kosovën dhe parterët e saj ndërkombëtarë. Përfaqësuesi i SHBA-ve ka zotuar edhe 15 milionë dollarë amerikanë të tjerë nga SHBA në pesë vitet e ardhshme”, tha ai
Qeveria kërkon investime “mikse” në energjetikë
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në hapje të sesionit të parë të Konferencës ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të përmbushur zotimet e veta ndaj qytetarëve të Kosovës, por për të arritur këtë duhet të ketë përkrahje të vazhdueshme dhe udhëzime nga donatorët ndërkombëtarë.
Ai tha se shpreson se sot mund të identifikohen mënyrat me të cilat bashkërisht do të mund t’i kontribuojnë nevojave për “një miks të qëndrueshëm energjetik në të cilin kombinohen burimet konvencionale të energjisë me burime të ripërtëritshme të energjisë..”
“Teksa diskutojmë sot për hapat e ardhshëm, ne duhet të kujtojmë se nuk kemi të bëjmë thjeshtë me drita, por se janë në pyetje të drejtat e qytetarëve, ngrohja, punësimi dhe arsimimi i tyre, të cilat ndikohen nga disponueshmëria dhe cilësia e energjisë”, tha ai.Këto, sipas tij, mund të arrihen më së miri përmes një miksi të energjisë konvencionale dhe të ripërtëritshme dhe përmes rritjes së kontrolluar të kërkesës për energji.
Ndryshe, Konferenca vazhdoi punimet me sesionet Zhvillimi i sektorit të energjisë – vizioni, sfidat dhe hapat vijues; Përkrahja financiare për projekte në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës së energjisë; Roli i sektorit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë…Një sesion i veçantë i Konferencës është paraparë me shoqërinë civile.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”










