Lajme

Kosova eksporton verë pa doganë në BE

Shtetet në të cilat më së shumti eksportojnë prodhuesit e verërave kosovare, janë Gjermania, Zvicra dhe Kroacia

Muajin e ardhshëm edhe Kosova, sikurse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, do të ketë kuotën individuale për eksport në BE, kanë bërë të ditur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Bashkimi Evropian u alokon kuota individuale shteteve të Ballkanit Perëndimor, e cila garanton eksportin e një sasie të caktuar të verës në BE, pa taksë doganore, transmeton ReL.

Kosova është shteti i parë së cilës do t’i alokohet kuota individuale para përfundimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Përfaqësues të Shoqatës së Verërave të Kosovës, e mirëpresin një vendim të tillë, pasi, sipas tyre, aplikimi i kuotës individuale, do të mundësojë  rritjen e eksportit të verërave kosovare në vendet e Bashkimit Evropian.

Nevzat Haxhijaha, kryetar i kësaj shoqate, thotë për Radio Evropa e Lirë se Kosova posedon kuotën globale, kuotë kjo që ka vështirësuar në një mënyrë që Kosova të jetë konkurrente me vendet e rajonit, sa i përket verërave.

Shteti i Kosovës identifikohet me industrinë e verës, por që konsumohet shuma pak nga qytetarët, thotë Shani Mullabazi, njohës i kësaj fushe.

Për këtë arsye, orientimi i prodhuesve kosovarë është kryesisht tregu evropian dhe në këtë treg, ata mund të jenë konkurrues me kuotën individuale dhe eksport pa ngarkesa doganore.

Në Kosovë aplikohen edhe preferencat tregtareme vendet e Bashkimit Evropian, por megjithatë vendi vazhdon të jetë i varur nga importi.