Lajme

Kosova e izoluar, feston Ditën e Evropës

Shteti më i ri në botë, edhe pse është pothuajse i izoluar, megjithatë shënon Ditën e Evropës – 9 Majin. Me aktivitete të ndryshme nëpër Kosovë do të festohet kjo ditë, që simbolizon bashkimin e evropianëve. Madje, është shpallur edhe festë shtetërore dhe nuk punojnë as institucionet dhe shkollat.

Por, tre vjet pas pavarësisë, Kosova është një ndër vendet më të izoluar në botë. Vetëm në katër shtete kosovarët mund të udhëtojnë pa viza, ndërsa shumë vende ende nuk e kanë njohur pasaportën kosovare, dhe një pjesë e madhe e kufijve të saj janë të pakalueshëm.

Ndërkohë, qytetarët e Kosovës paguajnë vizat më të shtrenjta në rajon, ndërsa të gjitha vendet tjera ballkanike, nga 1 janari i viti, e kanë të përjashtuar një pjesë të madhe të qytetarëve nga pagesa e vizës, aplikuesit kosovarë bëjnë shpenzime shumë të larta – mesatarisht 119 euro, nëse aplikojnë në Prishtinë dhe 132 euro kur aplikojnë në Shkup.

Kosova është vendi të cilit i është vendosur regjimi i vizave nga më së shumti shtete. Numri i shteteve ku kosovarët mund të udhëtojnë pa viza, është vetëm katër, dhe ky është numri më i vogël sot në botë. Pas Kosovës vjen Afganistani me 20 shtete ku qarkullon lirë dhe pa viza, e mbi te Iraku me 23 dhe Somalia me 25 vende ku udhëtojnë pa viza.

Kosova është i vetmi vend ballkanik të cilës i duhen viza për të udhëtuar edhe brenda këtij rajoni. Nga 10 vende ballkanike, asaj i duhet të udhëtojë me vizë në katër: Bullgari, Rumani, Greqi dhe Kroaci, ndërsa nuk mund të udhëtojë fare në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe mund të udhëtojë lirisht vetëm në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Turqi.