Lajme

Kosova e gatshme për zbatimin e marrëveshjes

Pala kosovare është e gatshme për zbatimin e marrëveshjes, prandaj pret një gatishmëri të tillë edhe nga pala serbe, por edhe nga faktori ndërkombëtar, tha zëvendëskryeministri Kuçi

Delegacioni i Kosovës, i drejtuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka udhëtuar të hënën për në Bruksel, për të zhvilluar takimin e radhës me delegacionin e Beogradit, për planin e implementimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një njoftimi lëshuar nga Qeveria në Prishtinë, delegacioni i Kosovës shkon me qëllimin për të arritur marrëveshjen për implementim, duke përfshirë çështjet e afatet kohore, akterët e implementimit dhe çështjet konkrete.

“Ne theksojmë nevojën që marrëveshja të implementohet sa më shpejtë, në mënyrën e paraparë në marrëveshje, për çka pala kosovare është e gatshme dhe pret një gatishmëri të tillë edhe nga pala serbe, por edhe nga faktorët ndërkombëtarë, KFOR-i dhe EULEX-i”, theksoi zëvendëskryeministri Kuçi, para nisjes.

Delegacioni i Kosovës kryesohet nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në të cilin marrin pjesë edhe koordinatori për bisedime, Blerim Shala, kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Në takimin shkuar, ishte pala serbe e cila nuk ishte e gatshme për zbatimin e marrëveshjes. Ajo tha se i duhet akoma kohë për t’i bindur serbët e veriut që marrëveshja është për të mirën e tyre.

Prandaj edhe ky takim, vështirë se do të gjejë nxjerr plan veprimi për zbatimin e marrëveshjes.

Nënshkrimi i marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë –Serbi, ndërmjet dy kryeministrave, Thaçi dhe Daçiq, ishte vetëm njëra pjesë e medaljes. Faktori ndërkombëtarë pret që marrëveshja të zbatohet, në të kundërtën nënshkrimi, sipas tyre,  s’ka asnjë vlerë.