Lajme

Kosova dhe Serbia, gjithnjë e më afër “vendimeve të vështira”

Nuk ka kaluar as një javë nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse/dalëse dhe nga dy palët ka pritshmëri për përparim të mëtejshëm.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po futet në një nivel të ri serioziteti”, vlerëson njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi.

Shtetet e Quint-it – Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe SHBA-ja – po krijojnë një zë të përbashkët lidhur me këtë proces, thotë Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Shenjë për një gjë të tillë, sipas tyre, është vendimi i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe i presidentit francez, Emmanuel Macron, për të emëruar këshilltarët e tyre për dialogun.

Lajçak dhe këshilltarët e rinj nga Gjermania dhe Franca vizitojnë Kosovën dhe Serbinë

Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune u tha se do t’i ofrojnë mbështetje të dërguarit të BE-së për këtë proces, Mirosllav Lajçak.

Lajçak dhe dy këshilltarët e rinj pritet të qëndrojnë në Kosovë dhe Serbi më 9 shtator.

“Nuhatja” e marrëveshjes

Maliqi kujton se emërimi i këshilltarëve nga Gjermania dhe Franca nuk ndodh për herë të parë, por koha kur ndodh – derisa vazhdon pushtimi rus i Ukrainës – ia shton seriozitetin këtij veprimi, thotë ai.

“Kjo mund të shihet edhe si shenjë se shtetet e rëndësishme, si Gjermania dhe Franca, e nuhasin mundësinë që të ecet përpara me një marrëveshje gjithëpërfshirëse [midis Kosovës dhe Serbisë], por edhe e shfrytëzojnë rastin për të theksuar urgjencën [e këtij procesi]”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Diplomatët në Perëndim thonë se lufta e Rusisë në Ukrainë, që ka nisur në fund të shkurtit, ka krijuar një momentum të ri për sigurinë evropiane, por edhe për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, ku disa vende kanë ende çështje të hapura.

Maliqi thotë se “është e dukshme” që Kosova dhe Serbia janë duke hyrë në një proces bisedimesh, që mund të përfundojë shpejt, ndonëse jo detyrimisht. Ai thotë se ndjeshmërinë e vendeve të BE-së ndaj dialogut e ka ndikuar “alarmi i NATO-s”.

Muajin e kaluar, kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur – për shkak të një vendimi të Qeverisë në Prishtinë për targa të automjeteve dhe dokumente të udhëtimit – NATO ka paralajmëruar se do të ndërhyjë, nëse stabiliteti vihet në rrezik.

“Unë e shoh si interesim më të madh [të vendeve të BE-së], si angazhim më të madh… por edhe si formë e presionit ndaj liderëve [të Kosovës dhe Serbisë] që të mos përsëriten rastet e përshkallëzimeve që ndodhën së voni, si dhe të shfrytëzohet mundësia që të shkohet drejt një marrëveshjeje”, thotë Maliqi./REL