Kosova

Kosovё: Nga 1 gushti, pa adresë zyrtare nuk ka dokumente zyrtare

Qytetarët që nuk kanë deklaruar ende adresën e tyre zyrtare do të përballen me kufizime serioze në qasje ndaj dokumenteve të rëndësishme, përfshirë certifikatën e lindjes dhe të pronësisë, duke filluar nga 1 gushti i këtij viti. Këtë paralajmërim e bëri të mërkurën drejtori i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Avni Ahmeti, gjatë konferencës për projektin “Ndërlidhja e qytetarit me adresën zyrtare”, raporton albinfo.ch.

Sipas Ahmetit, pas një fushate të gjerë sensibilizuese që ka nisur që nga tetori i vitit të kaluar, ka ardhur momenti që ky proces të kalojë në fazën përfundimtare të zbatimit. “Nga data 1 gusht 2025, qytetarët që nuk e kanë deklaruar adresën e tyre zyrtare nuk do të mund të pajisen me dokumentet që lëshohen nga Agjencia për Regjistrim Civil dhe AKK”, tha ai.

Ahmeti theksoi se çështja e adresave nuk është vetëm një formalitet administrativ, por një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të drejtat qytetare dhe funksionimin e shtetit.

“Në thelb, bëhet fjalë për shumë më tepër: për rend, për të drejta, për qasje më të lehtë në shërbime, për ndërtimin e një shteti më funksional dhe gjithëpërfshirës,” u shpreh ai, duke shtuar se një qytetar pa adresë zyrtare është në fakt i përjashtuar nga sistemi.

Deri më tani, mbi 220 mijë qytetarë kanë deklaruar adresën e tyre zyrtare, por drejtori i AKK-së theksoi se kjo shifër nuk është e mjaftueshme për një shoqëri të organizuar. Ai paralajmëroi se mungesa e një adrese të saktë pengon planifikimin urban dhe ndikon në efikasitetin e shërbimeve shtetërore, nga ato administrative deri te ato emergjente si ambulanca, zjarrfikësit apo policia, raporton albinfo.ch.

Ahmeti bëri të ditur se deklarimi mund të bëhet lehtësisht në zyrat komunale apo përmes platformës E-Kosova, duke e konsideruar këtë proces si pjesë të një reforme të thellë drejt digjitalizimit dhe standardizimit të sistemit administrativ në vend.

Në këtë kuadër, ai njoftoi edhe për përfundimin e një projekti të rëndësishëm infrastrukturor: vendosjen e 341,756 tabelave me numra hyrjesh në 20 komuna të Kosovës. Ky hap, sipas tij, përmirëson jo vetëm orientimin e qytetarëve, por edhe ndihmon bizneset dhe institucionet në ofrimin e shërbimeve më efikase.

“Ky është një standard i ri në mënyrën se si shteti funksionon për qytetarët e vet. Prandaj i inkurajojmë të gjithë ata që ende nuk e kanë bërë deklarimin e adresës zyrtare, ta bëjnë sa më parë,” përfundoi Ahmeti, raporton albinfo.ch.