Lajme

Korrupsioni në Kosovë vazhdon të lulëzojë

Sa i përket pjesës për Kosovën, Transparency International adreson korrupsionin si një problem të madh

Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia duhet të bëjnë më shumë në garantimin e implementimit të ligjeve kundër-korrupsionit, thuhet në raportin e fundit të organizatës, Transparency International.

Transparency International thërret qeveritë e vendeve përkatëse të ndërtojnë kapacitete dhe të përmirësojnë qeverisjen.

“Ka nevojë për një vullnet më të madh politik për të adresuar çështjen e korrupsionit në këto vende” ka thënë Jana Mittermaier, Udhëheqëse e zyrës së Transparency International, në BE.

Sa i përket pjesës për Kosovën, raporti përmban një sërë kritikash dhe adreson korrupsionin si një problem të madh. Aty thuhet se ka mungesë mbështetje për gjyqtarët, mungon profesionalizmi në sistemin gjyqësor dhe jo vullnet për ta përmirësuar situatën.

“Shërbimi civil mbetet jo profesional, me interferenca të shumta politike. Mungesë llogaridhënie në prokurimin publik që rrit mundësinë për korrupsion në një numër të madh tenderësh. Media dhe shoqëria civile shoqërohet më vështirësi në monitorimin e qeverisë dhe kuvendit”, theksohet në raport.