Kosova

Korriku, muaji më i suksesshëm ndonjëherë për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Korriku 2025, muaji më i ngarkuar ndonjëherë për Aeroportin e Prishtinës me mbi 458 mijë udhëtarë

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar një tjetër rekord historik. Vetëm gjatë muajit korrik 2025, aeroporti u shfrytëzua nga plot 458,348 pasagjerë, duke e bërë atë muajin më të suksesshëm ndonjëherë në historinë e aeroportit, transmeton albinfo.ch.
Krahasuar me korrikun e vitit 2024, ka pasur një rritje prej 9.24% në numrin e pasagjerëve, ndërsa numri i fluturimeve u rrit për 8.11%, duke arritur në 3,298 fluturime për dhe nga Prishtina (krahasuar me 2,958 fluturime dhe 419,578 pasagjerë në korrik 2024).
“Duke fluturuar drejt horizonteve më të larta!” – ky është mesazhi që shoqëron statistikat e publikuara në faqen zyrtare të Aeroportit në rrjetet sociale, që pasqyrojnë një trend të qëndrueshëm të rritjes.
Rekordi i korrikut nuk është rastësor – ai vjen si vazhdimësi e një performance të jashtëzakonshme që ka karakterizuar çdo muaj të vitit 2025. Që nga janari, Aeroporti ka parë rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtët muaj të vitit paraprak:
Janari: +19.8%
Shkurti: +16%
Marsi: +11%
Prilli: +22%
Maji: +13%
Qershori: +17%
Ky ritëm i rritjes e ka pozicionuar Aeroportin e Prishtinës si një nga më të shpejtë-rritësit në Evropë. Sipas një raporti të fundit nga ACI Europe, Aeroporti i Prishtinës renditet i katërti në listën e aeroporteve me rritjen më të madhe të trafikut që nga viti 2019 – me një rritje prej 72.1% në numrin e pasagjerëve.
Për më tepër, në vitin 2024 Aeroporti theu një tjetër rekord duke tejkaluar për herë të parë katër milionë pasagjerë brenda një viti, një dëshmi e qartë e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që ka në rajon dhe për diasporën. /Albinfo.ch