Lajme

Konfirmon Ministria e Drejtësisë: Vendimi për ekstradimin e Nuhiut, i plotëfuqishëm

Departamenti Federal i Drejtësisë: "Vendimi për ekstradim ka qenë i plotfuqishëm më 7 mars. Data nuk publikohet asnjëherë paraprakisht"

Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë ka bërë edhe konfirmimin zyrtar për plotfuqishmërinë e vendimit për ekstradim në Serbi të Shemsi Nuhiut.

I pyetur nëse mund ta konfirmojë edhe zyrtarisht lajmin e publikuar dje për ekstradimin e Nuhiut, zëdhënësi i Entit Federal për Drejtësi, Folco Galli, përmes postës elektronike pohon se vendimi për ekstradim praktikisht është marrë në momentin kur ka ardhur vendimi i Gjyqit Federal. 

“Me verdiktin e Gjyqit Federal, të marrë më 7 mars, vendimi për ekstradim në rastin Shemsi Nuhiu është bërë i plotfuqishëm dhe i zbatueshëm”.

Ndërsa pyetjes tjetër se a mund të dihet data e saktë e ekstradimit, Galli i është përgjigjur negativisht. “Në bazë të praktikës sonë të përhershme, zyra jonë nuk informon asnjëherë paraprakisht lidhur me zbatimin e një ekstradimi”.