Kosova

Një familje në Gjilan bëhet me shtëpi

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me donatorin, kompaninë e ndërtimit “AR Katana”, kanë inauguruar shtëpinë e radhës për familjen katër anëtarëshe të Bajram Salihut nga Livoçi i Epërm.

Çelësat e shtëpisë zyrtarisht ia kanë dorëzuar kësaj familje kryetari i Komunës, Lutfi Haziri dhe pronari i “AR Katana”, Muhamet Ajrullahu.

“Muhameti i AR Katanës është njeriu më solidar që e kemi në Gjilan, i cili i është bashkangjitur aksionit të Komunës për banim social. Jemi afër numrit 100 të shtëpive të ndërtuara dhe renovuara dhe jam shumë i lumtur që kemi arritur ta zbusim gjendjen e kësaj kategorie”, ka thënë me këtë rast kryetari Lutfi Haziri, njofton Komuna e Gjilanit me anë të një komunikate për media.

“Jemi të interesuar që çdo familje që ka problem me kulm mbi kokë t’i ndihmojmë në mënyrë që ta ulim në pikën zero kërkesën për kulm mbi kokë. Jemi Komuna që prin me solidaritet”, ka thënë Haziri. 

Haziri gjithashtu ka falënderuar edhe bashkëatdhetarët për ndihmën që japin në Gjilan. 

 “I falënderoj donatorët, bashkatdhetarët dhe kompanitë e Gjilanit që janë bartës e këtij procesi dhe natyrisht një pjesë e buxhetit të Komunës shkon edhe për realizimin e këtij programi. Apeloj që të vazhdojmë të bëhemi shembull si Muhameti, sikur Ruzhdi Bunjaku, i cili ndërroi jetë para disa javësh etj.,  për të siguruar jetë më të mirë për qytetarët tanë”, tha Haziri.

“Kam pasur nderin që si pronar i AR Katana ia dorëzuam çelësat e shtëpisë familjes së Bajramit. Kjo është shtëpia e 27 që e kemi ndërtuar për familjet në nevojë brenda tri vite e gjysmë. Do të vazhdojmë t’iu dalim në ndihmë qytetarëve të Gjilanit edhe në të ardhmen”,deklaroi Muhamet Ajrullahu.

Ndërkaq, përfituesi i shtëpisë, Bajram Salihu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për aksionin dhe donatorin Muhamet Hajrullahu që familjen e tij e bënë me kulm mbi kokë.

Kreu i Komunës, Lutfi Haziri, ka informuar se Komuna së bashku me donatorët është duke e ndërtuar edhe shtëpinë e dytë në Livoç të Epërm, ndërkaq ka paralajmëruar edhe ndërtimin e dy shtëpiuve të tjera në Verbicë të Zhegocit dhe në Gumnishtë.