Lajme

Komedia “Ne dhe Ata” në Bernë: humor dhe reflektim mbi jetën në diasporë

Shfaqja “Ne dhe Ata”, me interpretim nga Dan Morina dhe me skenar e regji të Ben Apollonit, u prezantua në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Bernë

Pas një pritjeje të fuqishme në Winterthur, “Ne dhe ata” u prezantua edhe në Bernë, duke sjellë një mbrëmje me humor dhe mesazh të drejtpërdrejtë.

Shfaqja (stand-up komedia) “Ne dhe Ata”, me interpretim nga Dan Morina dhe me skenar e regji të Ben Apollonit, u prezantua në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, duke mbledhur një numër të madh pjesëmarrësish nga komuniteti shqiptar në Zvicër.

E ndërtuar mbi një format që ndërthur monologun me elemente muzikore, shfaqja trajtoi përvojën e përditshme të diasporës, duke vënë në pah raportin mes “ne” dhe “ata” përmes situatave konkrete dhe një qasjeje të drejtpërdrejtë skenike. Në interpretim, Dan Morina u shoqërua nga Flutur Bytyqi dhe Bexhet Sallai në kitarë, duke i dhënë shfaqjes një ritëm të balancuar mes humorit dhe ndërhyrjeve muzikore.

Regjisori dhe autori i projektit Ben Apolloni, theksoi se ideja e shfaqjes ka nisur në janar dhe ka kaluar një proces të vazhdueshëm zhvillimi deri në realizim. “Si ide ka filluar në janar, por si proces i krijimit ka zgjatur nga janari deri më tani. Kjo është sfida e projekteve teatrore, sidomos kur unë jetoj në Prishtinë dhe protagonistët në Zvicër. Provat i kemi mbajtur online me video-thirrje, ndërsa prova fizike kemi pasur vetëm një ditë,” u shpreh ai.

Ai sqaroi se projekti është realizuar nga Studio Aktrimi dhe Studio Artistike Feniks, pa mbështetje financiare institucionale. “Ky është projekt i Studios së Aktrimit dhe Studios Feniks, këta janë producentët e shfaqjes. Nuk kemi pasur mbështetje financiare nga askush tjetër,” tha Apolloni, duke shtuar se forma e stand-up-it është zgjedhur si një mënyrë komunikimi e drejtpërdrejtë me publikun. “Kjo është stand-up komedi, ku një aktor del në skenë dhe rrëfen situata të ndryshme. Jam përpjekur t’i jap një frymë mini-mjuzikëll, ku përveç monologut të ketë edhe pauza muzikore që lidhen me temën.”

Duke folur për pritjen e publikut, ai nënvizoi interesin për teatër në diasporë. “Shfaqja është pritur jashtëzakonisht mirë dhe kjo tregon se publiku shqiptar në Zvicër e do teatrin. Ka një lloj kërkese për art dhe ne duhet të bëjmë më shumë për të prodhuar shfaqje cilësore,” tha ai, duke theksuar nevojën për mbështetje institucionale. “Për të realizuar një shfaqje duhet buxhet, kohë dhe përkrahje në mënyrë që artin shqiptar ta sjellim më shpesh këtu.” Ai përmbylli me një mesazh të drejtpërdrejtë për publikun: “Kur të vijnë në Kosovë, të vijnë më shumë në teatër sesa në dasma.”

Në interpretimin e tij, Dan Morina u ndal te thelbi i raportit që trajton shfaqja. “Është mirë që ekzistojmë si komunitet, por është e rëndësishme të mbetemi një, të mos bëhemi ‘ne’ dhe ‘ata’, sepse në thelb nuk ndahemi dot,” u shpreh ai. Sipas Morinës, komedia ofron një mënyrë të veçantë për t’i trajtuar këto dallime: “Përmes komedisë mund t’i trajtojmë këto tema dhe t’i sjellim në një formë tjetër para publikut.”

Ai ndau edhe dimensionin personal të angazhimit të tij artistik. “Është një punë që e bëj me shumë dashuri. Edhe pse kam një punë fizike dhe një familje me pesë fëmijë, gjithmonë gjej kohë për ta ushqyer shpirtin, sepse kam studiuar për teatër dhe nuk dua të mos e shfrytëzoj këtë pjesë të vetes,” tha ai, duke theksuar rëndësinë e interaksionit me publikun. “Pjesa interaktive është shumë e rëndësishme për mua, sepse krijon një lidhje të drejtpërdrejtë dhe spontane me audiencën.” Mesazhi i tij për komunitetin ishte i qartë: “Të kthejnë më shumë vëmendjen nga jeta kulturore dhe të mbështesin iniciativat artistike.”

Nga ana organizative, Yllka Zuzaku theksoi sfidat me të cilat përballen projektet teatrore në diasporë. “Studio e Aktrimit ekziston prej rreth 20 vitesh, por vazhdimisht përballemi me mungesë të mjeteve financiare. Ky projekt është realizuar me vetëfinancim,” tha ajo, duke shtuar se bashkëpunimi me regjisorin ka qenë i bazuar në vullnet të mirë. “Ben Apolloni na ka ndihmuar shumë, edhe pse nuk është financuar.”

Ajo vlerësoi gjithashtu suksesin e shfaqjes në qytete të tjera. “Në Winterthur kemi pasur një pritje të jashtëzakonshme, me publik edhe nga kantone të tjera,” tha Zuzaku, duke theksuar se sfidë mbetet edhe organizimi praktik. “Të gjithë jemi të punësuar dhe jetojmë larg njëri-tjetrit, por megjithatë vazhdojmë të punojmë për projekte të reja.” Mesazhi i saj ishte i drejtuar veçanërisht te të rinjtë: “Do të donim që në shfaqje të vijnë më shumë të rinj, në mënyrë që teatri të ketë vazhdimësi.”

Në aspektin artistik, Flutur Bytyqi theksoi se ka kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të materialit. “Skenari ka qenë nga Ben Apolloni, por kam shtuar elemente për ta bërë më interesant dhe më ironik pjesën “Dy kunatat” tha ajo, duke u ndalur te tematika e marrëdhënieve që trajton shfaqja. “Shumë nga situatat janë të njohura për publikun, sidomos raportet mes njerëzve, ku përzihen stereotipat me të vërtetat.” Ajo theksoi se në thelb shfaqja mbart një mesazh bashkimi: “Pavarësisht gjithçkaje, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin.”

Bexhet Sallai vlerësoi përfshirjen e tij në projekt si një përvojë të rëndësishme. “Nuk kemi pasur shumë prova, madje prova gjenerale ka qenë një ditë para shfaqjes, por jam i lumtur që jam pjesë e këtij projekti,” tha ai. Ai u ndal edhe te përzgjedhja muzikore, duke përmendur këngë me përmbajtje historike dhe mesazhe të forta. “Këto këngë mbartin një histori dhe një përvojë që duhet të kujtohet,” tha Sallai, duke theksuar gjithashtu nevojën për mbështetje më të madhe për artistët në diasporë.

Shfaqja u vlerësua pozitivisht edhe nga profesionistë të fushës. Regjisori Sabri Pajaziti e cilësoi si “një shfaqje interesante dhe një bashkëpunim të suksesshëm, që ka tejkaluar pritshmëritë duke pasur parasysh mënyrën e realizimit”, ndërsa Burim Haliti vlerësoi veçanërisht performancën e aktorit. “Nuk është e lehtë të mbash publikun për një orë të tërë vetëm në skenë dhe të arrish ta bësh atë të qeshë. Tema është shumë e afërt për diasporën,” tha ai, duke shtuar rëndësinë e përfshirjes së brezave të rinj në aktivitete kulturore.

Ngjarja u organizua nga Studio Aktrimi dhe Studio Artistike Feniks, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë. Mbrëmja u hap nga zëvendësambasadorja Shukrie Ramadani, e cila vlerësoi rolin e aktiviteteve kulturore në forcimin e jetës së komunitetit në diasporë.

Ambientet e ambasadës ishin të mbushura me pjesëmarrës, ndërsa atmosfera gjatë shfaqjes u karakterizua nga reagime të vazhdueshme dhe pjesëmarrje aktive e publikut. Pas përfundimit të programit, mbrëmja vijoi në një ambient miqësor, duke krijuar hapësirë për komunikim dhe shkëmbim mes të pranishmëve.

Më shumë fotografi nga të dyja shfaqjet: (1) Facebook