Futboll

Kombëtarja shqiptare nis përgatitjet për play-off-in e Botërorit 2026

Kombëtarja e Shqipërisë ka hapur sot grumbullimin për përgatitjet e ndeshjes së fazës play-off të Kupës së Botës 2026 kundër Polonisë. E drejtuar nga trajneri Silvinjo, skuadra zhvilloi pasditen e sotme stërvitjen e parë në “Shtëpinë e Futbollit”, ku programi përfshinte ushtrime fizike, palestër dhe prova të skemave taktike në fushë.

Nga stërvitja në fushë morën pjesë 23 lojtarë, ndërsa Myrto Uzuni, Nazmi Gripshi dhe Ylber Ramadani pritet të bashkohen me ekipin gjatë mbrëmjes. Uzuni dhe Gripshi po vijnë për shkak të udhëtimit, ndërsa Ramadani është vonuar për arsye familjare, pasi sot është bërë baba për herë të tretë.

Kombëtarja do të zhvillojë një seancë tjetër stërvitore nesër në “Shtëpinë e Futbollit”, para se të udhëtojë të mërkurën drejt Varshavës për ndeshjen kundër Polonisë, e cila do të nisë më 26 mars në orën 20:45.