Lajme

KMLDNJ, për vendosjen e rregullit në burgun e Duabravës

KMDLNJ:Në burgun e Dubravës janë dëmtuar interesat e të burgosurve duke i diskriminuar të “dobëtit” dhe duke i favorizuar “të fortit“

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ)  kërkon masa shtesë për të stabilizuar gjendjen në Shërbimin Korrektues të Kosovës në Dubravë. Nëpërmjet një kumtese për media, KMDLNj kërkon që burgu i Dubravës, të reformohet përmes procesit të ngritjes profesionale, si dhe kërkon të eliminohen të gjitha dukurit negative që janë në këtë qendër.

Reagimi i KMDLNJ-së pason largimin nga detyra të ish-drejtorit të burgut të Dubravës, Haki Maxharraj, pasin që ky i fundit kishte liruar në vikend, Burim Bashën, njërin nga të burgosurit më të rrezikshëm të Kosovës, i cili ishte arratisur edhe një herë më parë nga burgu.

Basha kishte shfrytëzuar këtë lirim dhe nuk ishte paraqitur me në burg. Pas kësaj Maxharraj është suspenduar, ndërsa më pa janë vërejtur edhe një varg lëshimesh procedurale dhe menaxheriale në burgun e Dobravës.  Ministra e Drejtësisë, ndërkaq ka marrë disa veprime për normalizimin e gjendje atje, përfshirë këtu edhe një këshill të përkohshëm menaxhues.    

Problemet me të cilat po përballet aktualisht Ministria e Drejtësisë në  Qendrën Korrektuese në Dubravë, sipas KMDLNJ-së, janë identifikuar me kohë nga kë Këshill, dhe është kërkuar që të ndërmerren veprime konkrete për eliminimin e nepotizmit, korrupsionit, shpërdorimit të detyrës zyrtare gjatë lirimit me kusht, keqpërdorimi i raporteve mjekësore, tregtimi me narkotikë, celularë etj.

“KMDLNj ka kërkuar një udhëheqje të përgjegjshme dhe profesionale në Qendrën Korrektuese në Dubravë si dhe shkatërrimin e zinxhirit të keqpërdorimeve. Sepse, janë dëmtuar interesat e personave të privuar nga liria duke i diskriminuar ata pa “krahë të fortë” dhe duke i favorizuar “të fortit “, konsideron KMDLNJ.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përkrahë në tërësi masat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për caktimin e një ekipi të përbashkët menaxhues të qendrës korrektuese. Ndryshe KMDLNj ka mandat për monitorimin e Qendrave të Ndalimit, Qendrave të Paraburgimit dhe Qendrave Korrektuese.