Lajme

KFOR përgënjeshtron mbylljen e Bondsteelit

"Tregimi është definitivisht i pabazë. Bondsteel do të mbetet i hapur me ushtarë të KFOR-it dhe me strukturën e tanishme"

Pas shkrimeve në media se gjoja do të mbyllet kampi I ushtarëve amerikanë të NATO-s në Kosovë, Bondsteel, Zyra e KFOR-it për marrëdhënie me publikun, ka njoftuar se Shtabi Qendror i trupave paqeruajtëses përgënjeshtron disa media ndërkombëtare, të cilat janë cituar edhe nga mediat kosovare për braktisjen e kampit të Bondsteel nga amerikanët dhe, sipas mediave ndërkombëtare, ardhjen e forcave turke në vend të tyre.

“Tregimi është definitivisht jo i vërtetë dhe i pabazë. Kampi ushtarak Bondsteel do të mbetet i hapur me ushtarë të KFOR-it gjatë tërë kohës me strukturën e tanishme”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KFOR-i.

Po ashtu në komunikatë thuhet se më 4 maj 2011, mediumet kanë cituar gazetën serbe për diasporë Vesti, të publikuar në Gjermani, se forcat turke do të mund të përdornin kampin amerikan Bondsteel pas tërheqjes së forcave amerikane nga ky kamp ushtarak.