KFOR-i nuk ka mandat të përcaktojë nëse Ura e Ibrit në Mitrovicë duhet të hapet apo jo, ka deklaruar admirali George Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.
Sipas njoftimit të KFOR-it, misioni është duke kaluar nëpër një proces të optimizimit të pranisë dhe pozicionimit të tij në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Kalimi gradual nga prania e përhershme në Urën e Ibrit është pjesë e këtij procesi, ndërsa vendimet lidhur me praninë e KFOR-it në këtë zonë bazohen në vlerësimin e situatës së sigurisë.
“KFOR-i nuk ka mandat të përcaktojë nëse ura duhet të hapet apo jo. Këtë duhet ta përcaktojnë BE-ja dhe institucionet përkatëse në Kosovë, pasi KFOR-i të përfundojë praninë e tij në këtë urë”, ka deklaruar Wikoff.
Sipas njoftimit, personeli i KFOR-it do të vazhdojë të jetë i pranishëm në zonat përreth urës edhe pas përfundimit të pranisë së përhershme aty.