Kosova

Këshilltari i presidentes i reagon ish-ambasadorit, e quajti Osmanin “të ashtuquajtur”

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, i është drejtuar si “të ashtuquajtur” presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai u shpreh se nga posti i tij prej ambasadori është larguar dhunshëm dhe politikisht nga vetë Osmani.

“Në 2004 kam fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës- deputet i Kuvendit të Kosovës. Kur është themeluar Këshilli Tranzitor kam qenë anëtar i Këshillit Tranzitor të Kosovës, zëvendësministër në disa dikastere, së fundi zëvendësministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës dhe së fundmi kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam larguar dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuquajtura Presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj dhe në bashkëpunim me ambasadën turke në Shkup më ka larguar nga pozita e ambasadorit”, ka thënë ai në Hagë, përcjell albinfo.ch.

Në lidhje me këtë deklaratë, ka reaguar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili ka thënë se Dedaj po përhap gënjeshtra dhe po i referohet presidentes njësoj si Serbia.

“Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me Presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është ‘e ashtuquajtur’, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës. Ti e di këtë, por s’të pëlqen ky fakt. Prandaj sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve”, ka shkruar ai.