CH-Ballkani

Këshilli i Evropës në dhjetor do të diskutojë për Ballkanin Perëndimor

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, njoftoi se ministrat e jashtëm do të shqyrtojnë në dhjetor situatën në Ballkanin Perëndimor në takimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së.

Ajo tha pas debatit të ministrave të jashtëm të BE-së mbi situatën në Bosnjë e Hercegovinë, krerët e diplomacisë “do të kthehen për çështjen e gjithë Ballkanit” në një takim të Këshillit të Bashkimit në dhjetor.

Ajo shtoi se ministrat e BE-së nga takimi i sotëm në Bruksel dërguan tri mesazhe kryesore në BH.

“Është një apel për të formuar një qeveri sa më parë që të jetë e mundur, pasi rezultatet e zgjedhjeve tashmë janë zyrtare. Së dyti, një fokus 100% në agjendën e reformave, të cilat qytetarët e BH-së, dhe mbi të gjitha të rinjtë, presin që të lidhen me perspektivën e BE-së. Gjithashtu, është e nevojshme që BH të përqendrohet në reformat e ligjit zgjedhor dhe shqetësimet që dalin prej tij”, tha Mogherini.

Ajo shtoi se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për përparimin e Bosnjës në të gjitha prioritetet e listuara.