Lajme

Kërkohet llogaridhënie për dështimet e EULEX-it

Është duke u rritur pakënaqësia me performancën e EULEX-it edhe në Bruksel. Diplomatët e vendeve anëtare pakënaqësinë e tyre e shprehin vetëm në biseda private në Parlamentin Evropian, kurse po bëhen gjithnjë e më të zëshëm kritikët ndaj punës, apo mospunës së këtij misioni në Kosovë, që është misioni më i madh i BE-së i kësaj natyre.

Kritikat e para u dëgjuan në nëntor, kur në Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian u debatua për draftin e Raportit për Kosovën, të shkruar nga raportuesja Ulrike Lunacek, shkruan “Koha”.

Kritikët në atë debat patën thënë edhe se “duhet shikuar nëse duhet apo jo t’i zgjatet mandati EULEX-it, sepse nuk ka rezultate konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë”. Deputetët pyesnin se a mund të vazhdohet një mision i tillë, që harxhon rreth 100 milionë euro në vit të taksapaguesve evropianë, pa dhënë rezultate konkrete.

Raportuesja Lunacek, tha se ajo është e gatshme të bashkëpunojë me disa nga kritikët e EULEX-it, që të kërkohen më shumë të dhëna nga ky mision, po tha se nuk ka mundësi të bashkëpunohet me ata të cilët nuk duan fare të ketë mision të EULEX-it në Kosovë.

Dhe tash, kur ka skaduar afati i paraqitjes me shkrim të amendamenteve në Raportin për Kosovën, deputetët kanë paraqitur një numër të amendamenteve edhe për punën e EULEX-it. Më aktivë në këtë drejtim kanë qenë deputeti suedez, Göran Farm, dhe deputetët italianë Antonio Panzeri dhe Pino Arlacchi. Në amendamettet që kanë paraqitur ata kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga ana e misionit të EULEX-it.

Sipas Kohës Ditore, në njërin prej amendameteve të Panzerit thuhet se “numër jashtëzakonisht i vogël i rasteve të korrupsionit është hapur apo mbyllur. Korrupsioni dhe krimi i organizuar në masë të madhe janë lënë të paprekur nga EULEX-i dhe vetëm në raste të krimeve të luftës janë bërë hetime të rëndësishme”.