Lajme

Keq me rendimentet e grurit: Kosova siguroi vetëm 20 për qind të bukës

Sipas Ministrisë kosovare të Bujqësisë, rendimentet e grurit sivjet janë më të ulëtat në dekadën e fundit. Me këto rendimente dhe me 30 mijë hektarë të mbjella më pak, Kosova sivjet ka siguruar vetëm 20 për qind të nevojave me bukë

Rendimentet e grurit sivjet janë shumë më të ulëta se sa viteve të fundit, duke paguar vetëm 2700 kilogram për hektarë, që sipas Ministrisë së Bujqësisë, janë më të ulëtat në dekadën e fundit. Me këto rendimente dhe me 30 mijë hektarë të mbjella më pak, Kosova sivjet ka siguruar vetëm 20 për qind të nevojave me bukë.

Tahir Tahiri është kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës. Ai në një konferencë për media të mbajtur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ka shprehur sot shqetësimin lidhur me rendimentin mesatar të grurit të sivjetmë.

“Korrje-shirjet e sivjetme në aspektin teknik kanë vajtur mirë, mirëpo nuk jemi të kënaqur me rendimentet, të cilat i kemi arrit për shkak se sivjet kemi rreth 2 mijë e 700 kilogramë për hektarë. Ky është një rendiment më i ulëti që ne e mbajmë në mend. Përveç kësaj kemi edhe sipërfaqet tepër të vogla, sivjet kanë qenë të mbjella diku 30 mijë hektarë më pak. Kjo për neve është shumë brengosëse, andaj duhet të jetë për të gjithë edhe për Qeverinë dhe për popullin për shkak se sivjet në bazë të parametrave tonë nuk kemi me mundur me siguruar bukë më shumë se 20 për qind”, tha Tahiri.

Rendimentet kaq të ulëta vijnë, sipas Tahirit, vijnë edhe si pasojë e farërave, plehrave dhe pesticideve jo cilësore. Përveç kësaj, ka edhe destimulim të fermerëve për shkak të subvencioneve të ulëta dhe konkurrencës jo lojale nga importi, citon KP.

Ai tha se problem tjetër që paraqet për bujqit janë edhe keqpërdorimet që i bën Ministria e Bujqësisë me rastin e dhënies së atyre subvencioneve.

Fermeri Nexhmi Hyseni nga Podujeva në këtë konferencë ka ngritur çështjen e keqpërdorimeve të subvencione dhe granteve nga Ministria e Bujqësisë.

Ai para mediave grisi fotografinë e ministrit aktual të MBPZHR-së Memli Krasniqi në programin e Ministrisë për subvencione dhe grante për, siç u shpreh, kriteret e gabuara që po i aplikon ky ministër për fermerët aplikues.

Fermeri, i cili tregon se ka ardhur nga diaspora për të investuar në bujqësi, tha se ka qenë i dëmtuar si fermer duke u anashkaluar për mbështetje financiare.

“Halli ynë është vlerësimi, andaj ne kërkojmë që veç vlerësimi me u bërë real, me ditë se kush ka qasje në para publike dhe kush e ndan paranë publike. Ne prej vitit 2010 kam ardhur prej diasporës me i përvjel duart për punë, duke menduar se ministri e kryen punën  e vet, e fermeri punë  e vet. Fermerët po punojnë e po djersiten, ndërsa po pasurohen njerëzit, të cilët merren me kontrabandë, me projekte”, theksoi Hyseni.

Ndryshe, Federata e Bujqve të Kosovës ka bërë të ditur se në Kosovë operojnë rreth 1 mijë  autokombajna dhe asnjë prej tyre nuk ka korrë grurë më shumë se 40 hektarë sivjet. Kjo sipas kësaj federate, i bie se sipërfaqe me grurë në Kosovë nuk ka pasur më shumë se 40 mijë hektarë. Dhe kjo sipas parashikimeve, tregon se në Kosovë një pjesë e madhe e tokës mbetet djerrinë.