Lajme

Kemi përgjegjësi ndaj diasporës shqiptare

Zv.drejtori i Agjencisë për Migracionin nëQeverinë e Maqedonisë, Osman Shukriu bën thirrje për pjesëmarrje të diasporës shqiptare të Maqedonisë në zgjedhje

Zëvendës drejtori i Agjencisë së Emigracionit të Maqedonisë, Osman Shukriu në një intervistë për Albinfo.ch, flet për organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni, relacionet me diasporën shqiptare, qasja dhe ndihma për rikthimin e tyre dhe investime, informimi i diasporës për zgjedhjet presidenciale si dhe për çështje tjera që kanë të bëjnë me mërgatën shqiptare,etj . 

 

Albinfo.ch: Sa institucioni që përfaqësoni apo Maqedonia si shtet  është e përkushtuar për diasporën, veçanarisht asaj shqiptare ?

 

Shukriu: Agjencia e Emigracionit të Republikës së Maqedonisë i kryen punët dhe detyrat të cilët kanë të bëjnë me pozitën dhe të drejtat e mërgimtareve nga Maqedonia, i ndihmon në zhvillimin e tyre kulturor dhe në përparimin e lidhjeve me ata dhe me organizatat e tyre, i njofton mërgimtarët nga Maqedonia me gjendjen në Republikën e Maqedonisë, krijon kushte për kthimin e mërgimtarëve në Republikën e Maqedonisë, krijon kushte për inkuadrimin e mërgimtarëve në jetën publike dhe afariste në Republikën e Maqedonisë dhe kryen çështje tjera të caktuar me ligj. Kjo nënkupton se përgjegjësitë tona janë edhe për mërgimtarët shqiptarë.   Si zëvendës drejtor i Agjencionit të migracionit duke u bazuar në kompetencat e lartpërmendura, aktivitetet tona i drejtojmë më së shumti në bindjen e mërgimtarëve që te kthehen në vendlindje, të investojnë, faktikisht të riatdhesohen në vendlindjen e tyre.

 

Albinfo.ch: Jemi në prag të zgjedhjeve dhe afatizimeve për zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet e parakohshme që pritet të ndodhin. Sa keni punuar në drejtim të informimit të diasporës për zgjedhjet, për regjistrimin e tyre për zgjedhjet si dhe plotësimin e nevojave të tyre, përfshirë me theks të veçantë diasporën në Evropë dhe Amerikë ?

 

Shukriu:  Ne kemi bërë përpjekje maksimale për të informuar diasporën tonë për informim. Ne vazhdimisht po bëjmë informimin e diasporës në përgjithësi si në SHBA, Evropë dhe Australi, përmes postës elektronike, dhe faqes sonë zyrtare. Ne po shpërndajmë edhe njoftimet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor lidhur me regjistrimin e mërgimtarëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Diaspora deri më 7 mars duhet të regjistrohet dhe të bëjë kërkesën përmes fletëparaqitjes për regjistrim për të marrë pjesë në zgjedhje. 

 

Albinfo.ch: Diaspora ka kapacitet për investime, por mungojnë shumë shkaqe pse ata nuk investojnë. Sa keni bërë që vendi të krijojë të gjitha mundësitë për të investuar diaspora shqiptare me projekte konkrete ?

 

Osman Shukriu:  Po ne vazhdimisht bëjmë oferta për të kthyer diasporën tonë për të investuar në vendin tonë. Në takimet me diasporën kemi ofruar të gjitha mundësitë që janë në kompetencë tonën për të tërhequr investitorët. Ne jemi të hapur dhe gjithkush që dëshiron të ketë informacion dhe ndihmë në këtë drejtim le të drejtohen në adresën tonë dhe jemi të gatshëm për të mbështetur. Ka pasur interesim për të investuar, por shohim që megjithatë s’ka interesim me projekte konkrete. Mërgimtarët i informojmë vazhdimisht që të plotësojnë kushtet duke u bazuar në legjislativën e vendit lidhur me investimet. Në këtë drejtim punën për tërheqjen e investimeve e bën edhe agjencia për tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe ministria për investime, e cila funksionon si ministri pa portofol.

 

Albinfo.ch: Në diasporën shqiptare tashmë kemi një gjeneratë të re, e cila po integrohet në vendet ku jeton, por nga ana tjetër po humbet njohja e gjuhës, kulturës, traditës dhe vlerave tona. Sa keni bërë përpjekje në këtë drejtim që fëmijët atje të mësojnë gjuhën shqipe ?

Osman Shukriu: Sa i përket çështjes së ruajtjes së gjuhës, kulturës, traditës dhe vlerave tona, ne si Agjencion  jemi përkushtuar më së shumti ruajtjes së tyre duke dërguar tekste shkollore të natyrave të ndryshme si abetare mbarëkombëtare, libra leximi, lektyra, fletore pune, e shumë të tjera. Të gjitha këto i kemi dërguar në shoqatat dhe qendrat islame që mbajnë mësim plotësues në gjuhën shqipe. Do të doja të përmendi disa shoqata që kemi mbështetur dhe furnizuar me libra dhe materiale tjera si: Komuniteti Shqiptaro Amerikan në Ilinois, Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër, Danimarkë, Austri, Shoqatës Kulturore Sportive ”Mërgimi”,  Qendrës Islame Shqiptare në Dizeldorf, e shumë shoqatave të tjera. Shpresoj se ky bashkëpunim për këtë çështje të rëndësishme për kombin tonë siç është ruajtja e gjuhës kulturës dhe traditës nuk do të ndërprehet, por do të thellohet edhe më shumë duke përfshirë edhe shoqata tjera në shtete të tjera ku mërgimtarët janë në numër të madh apo të vogël. Këtë më së miri e dëshmon edhe mirënjohja e dhënë nga Komuniteti Shqiptaro –Amerikan,  zëvendësdrejtorit  të Agjensionit për migracion për kontributin e rëndësishëm në fushën e arsimit. Por gjithashtu lusim që shoqatat të drejtohen në adresën tonë dhe do të angazhohemi për përkrahje maksimale.

 

Albinfo.ch: Cilat janë relacionet dhe bashkëpunimi me shoqatat shqiptare në diasporë. Ka pasur disa kritika se nuk thirren shoqatat shqiptare dhe nuk hulumtohen në diasporë. Si qëndron e vërteta ?

 

Osman Shukriu: Institucioni jonë ka kontakte dhe bashkëpunim te mirë me të gjitha shoqatat shqiptare në diasporë, por për dallim me shoqatat e mërgimtarëve  në SHBA, që kemi një bashkëpunim  të shkëlqyeshëm,  me shoqatat e mërgimtarëve në Evropë siç e ceka më lartë, interesimi është më i ulët.  Vlen të përmendet se bashkëpunimi jonë me mërgimtarët në SHBA është në nivel, kontributi i tyre për çështjen shqiptare është në çdo fushë.

Së fundmi Këshilli i Qendrës Shqiptaro – Amerikane Islame, nëpërmjet zëvendësdrejtorit të Agjencionit të migracionit,  Osman Shukriu ndihmoi këtë muaj me 6.000 dollarë amerikan fëmijën e sëmurë të familjes Esati nga Llopati i Kumanovës, e cila kishte nevojë për një ndihmë emergjente për nevoja mjekësore.

 

 

Albinfo.ch: A mendoni të realizoni ndonjë projekt konkret me diasporën shqiptare përmes shoqatave apo promovimit të aspekteve tjera të interesit të ndërsjelltë ?

 

Osman Shukriu: Në bashkëpunim me shoqatat e mërgimtarëve jemi në përgatitje të një projekti i cili ka për qëllim  mbledhjen e të dhënave për kuadrot që janë mërgim, kuadro të cilët do mundohemi t’ inkuadrojmë në procesin edukativo-arsimor këtu në Republikën e Maqedonisë, respektivisht me interes të madh do të ishte inkuadrimi i tyre në Universitetin Shtetëror të Tetovës, me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe praktike të tyre që do te kontribuoj në përforcimin e njohurive të studentëve këtu te ne.

 

Albinfo.ch: Tani për zgjedhjet cili do të jetë mesazhi juaj se çfarë duhet të bëjë diaspora shqiptare dhe a ka shansin për të vendosur diçka me votën e saj ?

 

Osman Shukriu: Mesazhi ynë është që mërgata të jetë pjesëmarrëse në votime sidomos theks të veçantë apo apel të veçantë do t’ ju bëja për zgjedhjet parlamentare ku zgjidhen deputetë që i përfaqësojnë mërgimtarët në parlamentin  e Maqedonisë.

 

Intervistoi: Naser Pajaziti