Lajme

KE noton zhvillimin e Kosovës

Delegacioni i Komisionit Evropian është fokusuar në tri çështje kryesore: kriteret politike;  ekonomike dhe; sundimit të ligjit

Një  delegacion 20-anëtarësh nga Komisioni Evropian po qëndron në Kosovë për të për nga afër gjendjen reale dhe sfidat e Kosovës në procesin e përmbushjes së kritereve në kuadër të procesit të studimit të fizibilitetit.

 Ky delegacion i cili po drejtohet nga Lawrenc Meridith, shef i njësisë për Kosovën në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, tha se qëllimi i vizitës së tyre është që të studiojnë përgjigjet e dhëna nga institucionet e Kosovës në pyetësorit e studimit të fizibilitetit dhe me pas të japin notat për punën e bërë.

 Delegacioni i Komisionit Evropian është fokusuar në tri çështje kryesore: kriteret politike;  ekonomike dhe; sundimit të ligjit.

 “Qëllimi i këtij misioni është që të marrim një kuptim më të thellë dhe të qartësojmë çështjet që janë të rëndësishme për Kosovën, që të vazhdojë drejt procesit të stabilizim-asocimit. Unë kam ardhur me një mision që përbëhet prej 20 njerëzve, përfshirë edhe ekspertët për administratë publike, taksa, dogana, agrokulturë, transport, mjedis, shoqëri informative, tregu i brendshëm dhe ndërmarrje”, tha Meredith

 Këto deklarata Meredith i bëri në një konferencë për media, ku ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministrja e Integrimit Vlora Çitaku.

 Samuel Zhbogar, studimin e stabilizim-asocimit e vlerësoi si një dritë në fund të një tuneli të gjatë. “Kjo ngjarje është një dritë në fund të tunelit dhe e dimë që tuneli është i gjatë, por jeni në trenin e mirë në drejtimin e mirë. Prandaj studimi i fizibilitetit është i rëndësishëm, i cili e dërgon Kosovën drejt integrimeve evropiane”, tha Zhbogar.

 Ndërsa ministrja Çitaku  tha se ky është një proces që kërkon shumë reforma dhe shumë punë institucionale. Kosova, para disa ditësh ka dorëzuar 440 përgjigjet që janë shtruar në pyetësorin e Komisioni Evropian për studim të fizibilitetit.