Lajme

KE kërkon më shumë progres nga vendet e Ballkanit

Bazuar në Raportin e Progresit të KE-së, Shqipëria dhe Serbia qëndrojnë më mirë në përmbushjen e kritereve, ndërsa Maqedonia dhe Kosova vazhdojnë të kenë shumë probleme

Komisioni Evropian (KE) publikoi të mërkurën në mesdite Raportin e Progresit për vendet e Ballkanit perëndimor që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Nga shtetet rajonale, Shqipëria dhe Serbia qëndrojnë më mirë në përmbushjen e kritereve integruese, ndërsa Maqedonia dhe Kosova vazhdojnë të kenë shumë probleme.

Shtefan Fyle, sot për herë të fundit paraqitë raportin e detajizuar për të gjitha shtetet ballkanike. Serbisë i kërkoi që ta vazhdojë procesin e pajtimit dhe dialogun me Prishtinën, Qeverisë në Shqipëri i kërkoi raporte shume më të mira dhe fleksibile me opozitën, Maqedonisë më shumë përparim për emrin ndërsa Kosovës i kërkoi formimin e institucioneve sa më shpejt që është e mundur.  

“Në Serbi nisja e bisedimeve, ishte një pikë kthese, një lloj progresi në normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën. Si një vend negociues, Serbia ka treguar profesionalizëm në fazën e parë të negociatave. Procesi po vazhdon, Beogradi po vijon për reformat, por jetike është që të vijojë dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në raport.

Po ashtu komisionari Fule që përfundon detyrën me 31 tetor, tha se negociatat me Kosovën duhet të vazhdojnë pa pengesa.

Shqipëri, qeveria dhe opozita ti ndajnë përgjegjësitë

Komisioneri Fule gjatë prezantimit të raportit për Shqipërisë, tha se kjo e fundit pa bërë një hap të rëndësishëm për rrugën drejt BE-së dhe ka theksuar se qeveria dhe opozita kanë përgjegjësi të përbashkët për arritje të pakthyeshme.

“Shqipëria ka arritur statusin kandidat në qershor, njohje për reformat që ka arritur, qeveria ka demonstruar vullnet politik, për reformat që ka ndërmarrë me Bashkimin Evropian. Operacione të suksesshme për luftën ndaj drogës, me rezultate impresionante, angazhim për luftën ndaj krimit të organizuar. Por jemi të shqetësuar për klimën politike, për bojkotin aktual nga opozita”, tha Fule.

Qeveria, sipas tij, duhet të sigurojë që opozita të ketë siguri për të performuar detyrën demokratike. “Statusi kandidat ofron përgjegjësi dhe duhet parë si detyrë së shumti. Qeveria të demonstrojë tani se mund të çojë përpara reforma, ato në aspektin ligjor, administrativ, dhe kjo të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse nga ana politike”, deklaroi ai.

Tek sfidat që presin vendet e rajonit që aspirojnë Bashkimin Europian, Fyle theksoi faktin se ka pasur një trend ku parti opozitare kanë bojkotuar punimet në parlament në shenjë proteste ndaj mazhorancës në këto vende. Sipas Fyle, zgjidhja për bojkotin vjen përmes komponentëve politikë.

Maqedonia në qorrsokak

Ndërsa sa i përket Maqedonisë, ai për herë të gjashtë përsëritet rekomandimin për nisjen e negociatave për anëtarësim, por shprehen kritika ndaj Qeverisë dhe procesin e integrimit, duke nënvizuar se Maqedonia është në “qorrsokak”.

“Duke pasur parasysh progresin që vendi ka bërë, Komisioni Evropian ka vlerësuar se janë plotësuar kriteret politik dhe se mbetet rekomandimi për hapjen e negociatave për anëtarësim, mirëpo shprehim keqardhje se janë bërë hapa prapa gjatë viteve të fundit”, thuhet në tekstin e raportit.

Komisioni Evropian kërkon nga pushteti që të ndërmarrë aksion vendimtar për të zgjidhur politizimin e skajshëm dhe mungesën e pavarësisë së gjyqësorit si dhe lirinë e shprehjes, si mundësi e vetme që rekomandimi të mbetet në fuqi edhe gjatë vitit të ardhshëm.

“Besimi tek institucionet shtetërore gradualisht po humbet. Po rritet edhe shqetësimi për drejtësinë selektive. Liria e mediave vazhdon të përkeqësohet. Gjatë vitit të kaluar është rritur politizimi i institucioneve shtetërore, kontrolli i qeverisë ndaj mediave si dhe zgjedhjeve”, thuhet në raportin e Fules.

Sipas RP, kriza e fundit politike midis pushtetit dhe opozitës tregon se interesat partiake janë më të rëndësishme se interesat kombëtare.

Sa i përket kontestit të emrit, Brukseli vlerëson se duhet të ndërmerren hapa vendimtar për të zgjidhur këtë problem me Greqinë.

“Negociatat e pasuksesshme për këtë proces po zgjasin mbi 19 vite dhe se ato kanë ndikimin edhe në aspiratat evropiane të këtij vendi. Andaj është i nevojshëm një aksion vendimtar si dhe përkrahje më aktive nga ana e liderëve të BE-së”, thuhet në Raportin e Progresit.

Kosovë, Qeveria dhe Kuvendi të formohen më shpejt

Ndërsa sa i përket Kosovës, Raporti i Progresit ka vlerësuar ky shtet ka arritur progres të limituar dhe është në fazën e hershme të luftimit të korrupsionit. Ndërsa pavarësia e gjyqësorit, mos funksionimi i institucioneve, administrata e pa reformuar, reformat zgjedhore e mbetur në gjysmë, etj, sipas KE-së, mbesin sfidat për të ardhmen.

“Edhe pse Këshilli gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës u ka dhënë prioritet rasteve të korrupsionit nuk ka shënuar rezultate në dënimin e tyre”, thuhet në raport. Korrupsioni, ndërkaq mbetet i përhapur në shumë fusha, duke përfshirë në prokurimin publik, dhe vazhdon të jetë një problem serioz që duhet të adresohet urgjentisht.

“Gjithashtu duhet të ketë forcim të mëtejshëm edhe bashkëpunim ndër – institucional. Gjyqësori duhet të jenë të aktivizuara për të luftuar këtë fenomen në mënyrë efektive. Në të njëjtën kohë, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të tregojnë më shumë përgjegjshmëri në trajtimin e rasteve në mënyrë më efikase dhe dhënien e rezultateve”, vlerësohet në raport.

Po ashtu siç ka thënë Fule, Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes të qëndrojë duarkryq, pa institucione tash e sa muaj. “Dështimi që të konstituohet legjislatura e re pa probleme dhe me kohë shënon kthim prapa në reforma. Bllokada paszgjedhore duhet të tejkalohet ndërsa Kuvendi dhe Qeveria duhet të krijohen urgjentisht”, konsideron Fule.