Lajme

Kaosi urbanistik ua bën “bajat” pushimet

Disa nga bashkatdhetarët e intervistuar nga albinfo.ch nuk e fshehin pesimizmin që kanë krijuar gjatë tri ose katër javëve sa kanë qëndruar në Kosovë

Kosova nuk ua ka mbushur pritjet qindra bashkatdhetarëve kosovarë që sivjet kanë ardhur në vendlindje për pushime.

Shumë prej tyre janë ndier të hendikepuar me kaosin urbanistik, duke pritur me orë të tëra për të hyrë në zonat urbanistike, si në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Pejë, etj.

Në një anketë zhvilluar nga albinfo.ch, disa nga bashkatdhetarët, kryesisht të grupmoshave të reja, nuk e fshehin pesimizmin që kanë krijuar gjatë tri ose katër javëve sa kanë qëndruar në Kosovë.

Ata akuzojnë institucionet që kanë hapur punishte në çdo rrugë, duke shkaktuar kolona të gjata sikur nëpër kufij. E kur këtyre rrugëve, gjysmë të bllokuara u shtohen mijëra vetura të mërgimtarëve, plus qindra dasma e dasmorë, atëherë Kosova është shkaktuar në një bllokadë totale.

“Në kurbet s’po rrihet. Me ardh këtu e ke kaos, pothuajse njëjtë për çdo vit.  S’di, burrë, në hall kemi ra”, kështu deklaron Muharremi, një bashkatdhetar nga Zvicra, i cili duket se ishte irrituar tejmase, sepse vetura që e ngiste me targa SG ia kishte “vluar ujin”.

“S’di çka po ndodh. Edhe kerri m’u prish…”, thoshte ai duke lëshuar një dy-tri sharje për këtë kaos.

Zyrtarët e institucioneve të vendit, si ato lokale, ndërkaq thonë se punët në infrastrukturë zakonisht kryhen verës. “Bashkatdhetarët duhet të ndihen të kënaqur kur të na shohin duke punuar”, tha si me shaka njëri nga zyrtarët komunal të Mitrovicës.

“Vëllezërit nga diaspora duhet të ndjejnë keqardhje kur t’na shohin duke bërë sefa, sepse “baushtella” ka gjithandej Zvicrës e Gjermanisë”, deklaroi ai për albinfo.ch.

Edhe Albulena Zekaj ka ardhur nga Zvicra për t’i kaluar pushimet në vendlindje në Prishtinë. Ajo shprehet shumë e mllefosur me kaosin që është duke e parë përditë nëpër rrugët e kryeqytetit.

“Unë nuk po arrij të kuptoj pse po punojnë aq ngadalë. Kam qenë edhe në kohën kur kanë filluar punimet për këtë rreth-rrotullimin (rreth-rrotullimi në hyrje të Prishtinës), dhe asgjë nuk kanë bërë. Nuk e di përse çdo herë në kohën kur vijmë ne këta fillojnë me punu”, deklaroi Zekaj.

Ajo pa e fshehur emocionin thotë se po bëhet shumë nervoze nga kjo gjendje, madje qëndrimin në Kosovë nuk e konsideron pushim.

“Njeriu po ka qejf me ardhur në vendin e vet, por në çfarë gjendje janë bërë rrugët, Zoti na ruajt. Unë banoj në Lagjen e Spitalit, por edhe atje është bërë katastrofë, janë bërë shumë ndërtime, rruga është shumë e ngushtë… non stop ka kamionë…”, shprehet Zekaj.

Edon Shehu është një bashkatdhetar tjetër që jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe ai shprehet i zhgënjyer me tempon e punimeve në infrastrukturë. Madje ai tha se Kosova është për studim, ku 11 muaj nuk punohet, një muaj po.

“Edhe vitin e kaluar kur kam qenë, ka pasur probleme të tilla. Nuk e di qysh, 11 muaj nuk punojnë asgjë, ndërsa punët i fillojnë në kohën kur ne që jemi jashtë vijmë në Kosovë… Në vend që të punojnë 11 muaj, e këtë muaj të pushojnë, këtu po ndodh e kundërta”, shprehet ai.

Shehu ka vërejte kryesisht te rreth-rrotullimi, i cili e ka paralizuar pothuajse gjithë Prishtinën, pa e përjashtuar edhe rrugën për në Fushë-Kosovë.

“Krejt qyteti ish blloku. Nuk mundet njeriu me dalë prej shtëpisë, prej kerreve e kamionëve. Komuna duhet ta bëjë një zgjidhje që të paktën në korrik e gusht të mos bllokojë rrugë, sepse në këtë kohë është fluksi më i madh i mërgimtarëve”, tha ai.

Përveç kaosit urbanistik, ka qenë edhe një kompani e fluturimeve “Belle Air” që ua ka bërë “bajat” pushimin shumë mërgimtarëve kosovarë.

Disa qindra bashkatdhetarë kanë qëndruar me ditë e net në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, duke pritur kthimin në vendet e punës. Ata kanë blerë biletat kthyese në Zvicër dhe në Gjermani, por kompania nuk u është përgjigjur, duke iu kërkuar bileta të tjera.

Kastriot Mustafa nga komuna e Suharekës është vetëm njëri nga bashkatdhetarët që ka rënë “viktimë” e “Belle Air”. Ai për mediet kosovare nuk e ka fshehur zhgënjimin për papërgjegjësinë institucionale e njerëzore.

“Kam ardhur këtu në orën 2 të natës, ku kemi pritur deri në orën 4 dhe është shtyrë fluturimi. Më vonë na është thënë se fluturimi është shtyrë për në orën 14:00, por prapë nuk ndodhi. Sërish na premtuan se fluturimi është shtyrë për në orën 15:00, por edhe kjo nuk ndodhi”, deklaroi ai.

“Viktimat” e kësaj kompanie nuk janë të një dite apo dy, por gjatë gjithë javës që mbeti pas bashkatdhetarët janë sorollatur poshtë e lartë për t’u kthyer në mërgatë. Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, duke e parë gjendjen nga afër, kërkoi nga mërgimtarët që ta padisin kompaninë në fjalë.

Përfaqësuesit e institucioneve lokale nuk kanë pranuar të flasin për kaosin urbanistik, sikurse nuk kanë folur as për përshtypjet e mërgimtarëve. Disa javë më parë ata thanë se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që t’i joshin sa më shumë bashkatdhetarët, duke organizuar koncerte, takime rinore, ekskursione, kuize të diturisë, ecje malore, etj, me qëllim që ata ta ndjejnë sa më afër vendlindjen e tyre.

Megjithatë, emocionet e disa prej atyre që kanë ardhur nga diaspora, janë të përziera. Disa thonë se Kosova nuk i ka realizuar pritjet.