Lajme

Kanada njeh pensionistët shqiptarë

Ministri i Rinisë dhe Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj tha se rreth 20 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë në Kanada do të kenë mundësi të përfitojnë pensione

Autoritetet shqiptare dhe ato kanadeze kanë nënshkruar një marrëveshje për njohjen e pensioneve për emigrantët shqiptarë. Në bazë të kësaj marrëveshje, rreth 20 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë në Kanada do të kenë mundësi të përfitojnë pensione, deklaroi ministri i Rinisë dhe Mirëqenies Sociale Erion Veliaj.

Kjo është një ndër marrëveshjet e fundit që ka nënshkruar ministri Veliaj, një javë para se të japë zyrtarisht dorëheqjen dhe të nisë fushatën për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

“Marrëveshja ndihmon 20 mijë shqiptarët që jetojnë në Kanada, por ata përfitojnë edhe nga marrëveshjet që ka Kanadaja me shtetet e tjera. Pra, nëse një emigrant shqiptar ka jetuar në Itali dhe më pas është transferuar në Kanada, atëherë edhe vitet e Italisë do të njihen”, shpjegoi Veliaj, raporton TCH.

Opozita në Tiranë, ndërkaq ka akuzuar ministrin Veliaj si një ndër përgjegjësit kryesorë të largimit të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së, të cilët kërkojnë azil.

Ministria e Mirëqenies Sociale pritet të nënshkruajë marrëveshje me Gjermaninë, Austrinë dhe Italinë, në lidhje me njohjen e pensioneve të shqiptarëve që jetojnë në këto shtete, ndërkohë që sfidë mbetet Greqia. Në këtë shtete jeton komuniteti më i fuqishëm i emigrantëve kosovarë.