Lajme
Kampionati Evropian 2025: Një epokë e re për futbollin e grave në Zvicër
Vetëm pak javë na ndajnë nga fillimi i një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e sportit zviceran: Kampionati Evropian i Futbollit për Femra. Për herë të parë, Zvicra do të jetë mikpritëse e një turneu të madh ndërkombëtar për femrat, 53 vjet pas ndeshjes së parë zyrtare të kombëtares (2-2 kundër Francës, më 1972), shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.
Ky kampionat nuk është vetëm një garë, por një pikë kthese për futbollin e grave në vend. Brenda dy viteve të fundit, numri i lojtareve të regjistruara është rritur nga 31,400 në mbi 41,000, dhe Shoqata Zvicerane e Futbollit (SFV) synon që deri më 2027 ky numër të dyfishohet në 80,000. Kampionati i sivjetëm shihet si katalizator kyç për këtë bum.
Ish-lojtarja e ekipit kombëtar dhe kampione dy herë e Zvicrës, Prisca Steinegger, thekson progresin teknik dhe taktik të futbollit të femrave. “Stërvitjet kanë ndryshuar rrënjësisht. Vajzat sot kanë trajnerë më të përgatitur dhe struktura më profesionale që në moshë të hershme”, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, Steinegger paralajmëron për kufijtë e kapacitetit. “Na duhen më shumë fusha, më shumë dhoma zhveshjeje, më shumë trajnere dhe gjyqtare. Nëse pas kampionatit do të rritet interesimi, duhet të jemi gati.”
Për të adresuar këtë, SFV ka lançuar projektin e trashëgimisë “Here to Stay”, që synon jo vetëm të rrisë numrin e lojtareve, por edhe të përforcojë pjesëmarrjen e grave si trajnere, gjyqtare dhe lidere në strukturat sportive. Qasja është e qartë: ndërtimi i një baze të qëndrueshme për të ardhmen e futbollit të grave në të gjitha nivelet.
Koordinatori sportiv i ekipit kombëtar, Johan Djourou, e sheh Kampionatin si një mundësi unike për të krijuar emocion dhe për të rritur profesionizmin. “Stadiumet e mbushura dhe atmosfera pozitive do t’i japin futbollit të grave shtysën që i duhet. Ka një brez të ri që tani mund ta shohë sportin si një rrugë të vërtetë drejt profesionalizmit.”
Edhe pse sukseset në fushë do të jenë të mirëpritura, ekspertët bien dakord se ndikimi afatgjatë i kampionatit – në rritjen e pjesëmarrjes, përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e një kulture të barazisë – do të jetë fitimi më i madh për Zvicrën, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt Më 14–15 prill 2026 mbahet Samiti IV i Diasporës Shqiptare... -
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025 -
Itali
Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2026
Jeta në Austri
-
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro Vjena pret që deficiti buxhetor i vitit 2025 të arrijë në total 2.8 miliardë euro, 1... -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë -
Pranon fajin në tërësi: Tre vjet e gjysmë burg për kosovarin









