Kosova

Kaja Kallas për vizitë zyrtare në Maqedoni

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë dhe nënkryetare e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoni. Kallas është në një turne tre-ditor në Ballkanin Perëndimor.

Pritet që Kallas dhe Mickoski të bisedojnë për integrimin evropian të vendit dhe të konfirmohet përkushtimi i BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Siç informojnë nga Delegacioni i BE-së në vend, gjatë vizitës, Kallas do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe anëtarët e Qeverisë, pas së cilës do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin në ndërtesën e Qeverisë. Më vonë, së bashku me ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti, Timço Mucunski, dhe ministrin e Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, Kallas do të marrë pjesë në hapjen e dialogut për siguri dhe mbrojtje ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë, në kuadër të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje të nënshkruar në nëntor të vitit 2024, i cili do të mbahet në Ministrinë e Punëve të Jashtme në orën 14:00.

Ky dialog, siç informojnë nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti, paraqet një hap të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, si dhe në integrimin e vendit.

Kallas gjithashtu do ta vizitojë selinë e Forcës Mjekësore të dedikuar Ballkanike në kazermën “Ilinden”, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Misajllovski.

Vizita e Kallas pritet të përfundojë në “Europe House”, ku do të takohet me një grup të të rinjve.

Më herët, përfaqësuesja e lartë e Komisionit Evropian për politikë të jashtme qëndroi në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë, ndërsa para se të vinte në Shkup, ajo ishte në Beograd dhe në Prishtinë.